Lajçak: Zgjedhjet në 4 komuna, mina që u shkelën

“Po punojmë për menaxhim të krizave, jo normalizimin”

Zgjedhjet lokale të Prillit në katër komunat veriore të banuara me shumicë serbe ishin mina mbi të cilën fatkeqësisht shkelëm. Kështu ka deklaruar emisari i posaçëm i Bashkimit Europian, Miroslav Lajçak në një intervistë për median austriake “Kurier”.

“Marrëveshja e Marsit ishte një hap i madh në normalizimin e marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës. Ne dimë saktësisht se çfarë duhet bërë. Por ka shumë ‘mina përgjatë rrugës’ mbi të cilat nuk duhet shkelur. Zgjedhjet lokale të Prillit ishin një e tillë mbi të cilën fatkeqësisht shkelëm. Aktualisht përqendrimi ynë nuk është më në normalizim, por në menaxhim të krizave”, tha Lajçak.

I pyetur nga media austriake se a është BE-ja ajo që ka gabuar, Lajçak tha se BE siguron platformën e dialogut, por suksesi varet nga dy palët.

Ai foli edhe për vështirësitë mes Albin Kurtit dhe Aleksandar Vuçiç për të biseduar me njëri tjetrin duke shtuar se ata dy “vëzhgohen afër” nga qytetarët e vendeve të tyre.

“Të dy e kuptojnë se sa i rëndësishëm është ky dialog për ta. Në të njëjtën kohë, është shumë e vështirë për ta. Sepse edhe Vuçiç edhe Kurti e dinë se çdo gjë për të cilën bien dakord do të shikohet nga afër nga qytetarët e tyre dhe publiku. Për shkak të këtij presioni, atyre iu desh një kohë që të krijonin një marrëdhënie pune”, shtoi Lajçak.

Miroslav Lajçak pret që Marrëveshja e Ohrit të nisë të jetësohet derisa shprehet se pritja e gjatë nuk ndihmon as Prishtinën dhe as Beogradin.

Tv Klan

Lexo gjithashtu
Total
0
Share