Tragjedia që ndodhi të premten në liqenin e Banjës ku u mbytën babai me dy djemtë dhe kushëririn e tyre ka tronditur opinionin. Tashmë aty ku u zbulua që kishin qëndruar katër viktimat nuk ka mbetur më asgjë. Siç raportoi gazetari Besar Bajraktaraj, policia ka marrë edhe dy motorët që përdorën ata për të udhëtuar drejt vendit tragjik.
“Gjatë gjithë natës, deri pak momente më parë në këtë vend, ishin të vendosur edhe motorët ku udhëtuan dhe erdhën viktimat. Gjatë gjithë natës ka patur shërbime policie që i kanë marrë tashmë në cilësinë e provës materiale për t’ia bashkangjitur dosjes së kësaj ngjarje mjaft të rëndë”, raportoi gazetari Bajraktaraj.
Trupat e pajetë të Arben Zogut, rreth 46 vjeç, dy djemve të tij, Rubens Zogu 19 vjeç dhe Esti Zogu 14 vjeç, si dhe kushëririt të tyre Melis Zogu, 20 vjeç, u nxorrën pas 90 minutash kërkime nga polumbarët. Ata u gjetën pranë njëri-tjetrit. Sipas policisë, ky është edhe shkaku i tragjedisë. I pari që ka qenë duke u mbytur ka tërhequr edhe të tjerët, të cilët janë munduar ta shpëtojnë. Por fatkeqësisht asnjëri nuk doli i gjallë.
“Në këtë vend që ndodhet edhe rruga e vjetër e përdorur më herët nga banorët e fshatit ndodhen gropa të madhe, që sipas policisë janë gjetur trupat e pajetë. Ata janë gjetur në një distancë jo shumë të largët me njëri-tjetrin. Prandaj shkak për këtë ngjarja ka qenë mbytja e njëri-tjetrit. Fillimisht ka qenë një prej këtyre personave. Më pas të tjerët që kanë hyrë për t’i nxjerrë, por fatkeqësisht nuk ka dalë asnjë prej tyre. Është përdorur nga banorët e fshatit, herë pas here, për t’u larë. Pas ndërtimit të HEC-it nuk ka pasur një frekuentim të madh për shkak të rrezikshmërisë. Ka pasur raste të tjera në këtë zonë që ka pasur ngjarje të tilla të rënda. Rruga për të mbërritur këtu nuk është shumë e mirë. Ka një rrugë të improvizuar për lëvizjen në këmbë ose me motor”, raportoi gazetari Bajraktaraj.
Referuar grupit hetimor që kanë marrë dëshmi të familjarëve dhe personave të tjerë, për të pasur më të qartë dinamikën, mësohet se babai me dy djemtë dhe kushëriri i tyre shkuan rreth orës 15:00 të ditës së djeshme për t’u larë në liqen. Pasi shkuan në vendin që kishin rënë dakord lanë motorët, shapkat dhe këto cigare.
Familjarëve u thanë se do të qëndrojnë për një orë. Rreth orës 17:00, ata janë alarmuar. Pastaj rreth orës 19:00 të afërmit kanë njoftuar policinë pasi kanë evidentuar, motorët, celularët dhe rrobat e trupit të tyre në këtë zonë.
Sipas banorëve të zonës, aty ekzistojnë disa gropa që janë marrë nga eskavatorët gjatë ndërtimit të HEC./tvklan.al