“3 mijë $ për ta hequr qafe”, E reja tenton të vrasë djalin e saj 3-vjeçar

Një 18-vjeçare e quajtur Jazmin Paez ka rënë në prangat e policisë të Martën në Miami pasi ajo akuzohet se tentoi të merrte një vrasës me pagesë për t’i marrë jetën djalit të saj 3 vjeç.

Sipas policisë atje, shkruajnë mediat e huaja, nëna e re plotësoi një formular online ku kërkonte një shërbim të tillë. Kjo faqe në fakt ishte totalisht e rreme dhe ishte pikërisht menaxhuesi i faqes i cili kontaktoi menjëherë policinë.

Pas hetimeve, Paez u lokalizua nga autoritetet dhe ra në pranga. Bazuar në dokumentet e gjykatës, 18-vjeçarja akuzohet për tentative vrasjeje të shkallës së parë dhe përdorim të rrjeteve sociale për qëllime të paligjshme.

Mësohet se Paez përdori një emër të rremë për të paraqitur kërkesën në uebsajtin “fake” dhe kërkoi që djali i saj të zhdukej e të vritej sa më shpejt të ishte e mundur. Madje ajo la dhe një afat për të vrarë të miturin. Autoritetet gjurmuan Paez duke përdorur një adresë IP dhe një numër telefoni të marrë përmes faqes së rreme të internetit, e cila i çoi ata në banesën e gjyshes së 3-vjeçarit. Ky i fundit, fatmirësisht në këtë periudhë po jetonte me gjyshen e tij.

Paez thuhet se nuk jetonte me vogëlushin që prej muajit Maj, megjithatë ata komunikonin bashkë përmes telefonit.

Para arrestimit të saj, atë e kontaktoi një detektiv i cili u hoq si “vrasës me pagesë”. Ata shkëmbyen disa mesazhe bashkë dhe madje ranë dakord që Paez t’i jepte 3 mijë dollarë për ta kryer vrasjen.

E reja ndodhet në paraburgim dhe po merret në pyetje në Departamentin e Policisë në Miami-Dade.

Megjithëse e ka pranuar atë që ka bërë, ajo ende nuk ka shpjeguar motivin që e shty drejt këtij akti të tmerrshëm.  Paraprakisht dyshohet se shkak mund të jetë bërë një lidhje romantike e saj, pasi thuhet se i dashuri i ri nuk e pëlqente faktin që Jazmin të kishte një djalë të vogël./tvklan.al

Lexo gjithashtu
Total
0
Share