Tony Bennett, këngëtari amerikan i popit dhe xhazit ka ndërruar jetë në moshën 96-vjeçare.
Bennett ishte një prej pionerëve të Librit Amerikan të Këngëve gjatë karrierës së tij prej shtatë dekadash. Kënga e tij “I Left My Heart in San Francisco” është një prej më të njohurave. Pati një rikthim të fuqishëm në karrierë gjatë viteve ’80-90 që i siguruan popullaritetin edhe në moshë të thyer.
Ka fituar 19 çmime Grammy, përfshirë një çmim special për kontributin e tij si dhe ka shitur 50 milionë disqe në mbarë botën.
Në vitin 2020 u bë e ditur se ai ishte diagnostikuar me Alzhaimer në 2016. “Jeta është një dhuratë, edhe me Alzhaimer”, shkroi Bennett asokohe në Twitter. Ai zbuloi se megjithëse i ishin prekur aftësitë konjitive, mund të këndonte të gjithë repertorin e tij.
Talenti i Bennett për të performuar në pop e xhaz i siguroi vazhdimësi dhe bashkëpunëtorë. Në vitin 2014, ai realizoi disa bashkëpunime me Lady Gaga në albumin “Cheek to Cheek” që u shndërrua në më të shiturin në SHBA dhe Bennett ishte i pari në moshën e tij që arrinte vendin e parë.
Anthony Domincik Benedetto u lind në vitin 1926 nga prindër italianë. Ai kaloi një fëmijë të varfër dhe të vuajtur në Queens, Nju Jork. Babai i vdiq kur ishte 10 vjeç ndërsa Tony kishte nisur të këndonte në mënyrë profesionale në atë moshë.
Në adoleshencë punonte si kamarier dhe këndonte, më pas ndoqi studimet për pikturë dhe muzikë e më vonë mori pjesë në Luftën e Dytë Botërore. Në 1949, pas kthimit në atdhe vendosi të vazhdonte karrierën për muzikë fillimisht me emrin Joe Bari dhe më pas Tony Bennett.
Fama e tij erdhi në 1951 me “Because of You” dhe u shndërrua në një idhull për adoleshentët. Kur u martua me Patricia Beech në vitin 1952, 2000 fanse të veshura në të zeza ‘vajtonin’ jashtë ceremonisë që u zhvillua në Nju Jork.
Bennett vendosi të vazhdonte të këndonte deri në moshë të thyer. Pak pas përvjetorit të 90-të, ai tha për “New York Times”: “Mund të kisha dalë në pension 16 vite më parë, por e dashuroj atë që bëj”.
Ai ka lënë pas 4 fëmijë, dy nga martesa e tij me Beech dhe dy me ish-gruan e dytë Sandra Grant Bennett me të cilën u nda në 1979. Bennett u martua në vitin 2007 me Susan Crow, e cila është 40 vjet më e re se ai./tvklan.al