Partia Alternativa përmes një kumtese ka reaguar ndaj disa antarëve të cilët kërkojnë shkarkimin e nënkryetarëve dhe të sekretarit të përgjithshëm, sipas Alternativës përcjellë Klan M, këto kërkesa duhet bërë së parti në parti pastaj në opinion.
”Meqë sot disa anëtarë të Kuvendit Qendror të Alternativës, si dhe disa aktivistë të tjerë, organizojnë një konferencë për media, ku do të kërkojnë shkarkimin e nënkryetarëve dhe të sekretarit të përgjithshëm, po e njoftojmë opinionin se kërkesat e tilla së pari e kanë adresën në parti.
Në të vërtetë, dje dy nga ata që e kanë ftuar konferencë kanë qenë në selinë e Alternativës dhe e kanë shprehur këtë kërkesë gojarisht, por Kryetari u ka thënë se është i detyruar ta respektojë statutin e partisë, ndërsa sipas nenit 42 të statutit të Alternativës, mbledhje e Kuvendit Qendror mund të thirret nëse atë e kërkon 1/3 e anëtarëve të Kuvendit Qendror (për informacion, Kuvendi Qendror i Alternativës numëron 113 anëtarë).
Sidoqoftë, edhe pse në parti nuk është dorëzuar asnjë kërkesë për mbledhje ose kërkesë tjetër, kryetari Afrim Gashi ka ftuar mbledhje të Kryesisë Qendrore për 26 korrik 2023, që aty të diskutohet kjo temë dhe të vendoset a duhet të thirret edhe Kuvendi Qendror. (Për informacion: sekretarin e përgjithshëm dhe nënkryetarët i zgjedh dhe i shkarkon Kryesia Qendrore.)
Megjithatë, AlternAtivA mbetet e hapur të diskutojë për secilën temë në organet e saj qendrore – Kuvend dhe Kryesi Qendrore. Edhe tema e llogaridhënies është e pranueshme. Zaten ajo është bërë rregullisht nga drejtuesit e partisë, por ka ardhur koha që atë ta bëjmë edhe për kryetarët e degës dhe, veçmas, për ish funksionarët, disa nga të cilët – siç është edhe ish drejtori i Fondit Pensional – lënë shumë për të dëshiruar. Kjo do të bëhet në një mbledhje të ardhshme të Kuvendit Qendror, në të cilën secili do të përballet me punën, suksesin, por edhe dështimin e tij. AlternAtivA nuk ia mbulon askujt “mëkatet”, ndërsa opinioni pastaj le të gjykojë. Natyrisht, vendimet në Kuvendin Qendror merren me shumicë votash dhe Alternativa do ta respektojë secilin vendim të tillë.
Sidoqoftë, në kuptimin politik, konferenca e sotme është e lidhur drejtpërdrejt me takimin që mbrëmë kryetari i Alternativës, Afrim Gashi, e ka pasur me kryetarin e Besës, Bilall Kasami, dhe drejtuesin e lëvizjes së re të dalë nga BDI-ja, Izet Mexhiti. Fakti se opozita po bashkohet dhe se kjo e rrezikon BDI-në në zgjedhjet e ardhshme, e detyron partinë SORAVIA që të marrë masa, duke i përdorur të gjithë mjetet e veglat për ta sabotuar këtë ngjeshje opozitare. Një lojë e vjetër kjo e kësaj partie me matricë enveriste. Sidoqoftë, dielli nuk zihet me shoshë. Në zgjedhjet e ardhshme partia SORAVIA me krejt eksponentët e saj NON GRATA do të shkojë në historinë e turpit, ndërsa milionat që i kanë vjedhur do të duhet t’i vjellin, sepse ky popull i varfër, që po shpërngulet me përmasa eksodi, nuk e meriton një qeverisje kaq të korruptuar, grykëse e të pangopur” – thuhet në kumtesën e Alternativës. /KlanMacedonia/