Sot, nga BE-ja janë miratuar njëqind milionë euro përkrahje mikrofinanciare për Republikën e Maqedonisë së Veriut, që paraqet përkrahje në rrugën drejt anëtarësimit në BE, përkrahje për reformat dhe më e rëndësishmja, përkrahje për politikat në kohë krize.
“Ndihma e BE-së paraqet konfirmimin e aktiviteteve që ndërmarrim, siç janë politikat pasi janë konfirmuar paraprakisht nga institucionet financiare ndërkombëtare. Bëhet fjalë për 100 milionë euro, mjete me të cilat BE-ja përkrah planin e vendit për ballafaqimin me krizën energjetike dhe reformat e procesit të integrimit evropian”-theksoi ministri i Financave, Fatmir Besimi.
Ai shtoi se, siç theksojnë nga BE-ja, ky është rezultat i përkushtimit të lartë për zbatimin e reformave të mëtejshme, duke u fokusuar në fushat kryesore të politikave të identifikuara në Konkluzionet e përbashkëta të dialogut ekonomik dhe financiar ndërmjet BE-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Turqisë, më datë 24 maj të vitit 2022.
Ndihma e propozuar e BE-së do të shfrytëzohet për mbulimin e nevojave financiare gjatë vitit 2023 dhe vitit 2024, duke mbështetur si qëndrueshmërinë fiskale ashtu edhe reformat strukturore të orientuara drejt menaxhimit fiskal, politikës tatimore, menaxhimit të investimeve publike, partneritetit publik dhe privat, mjedisit afarist, transparencës së ndihmës shtetërore, efikasitetit energjetik, reformave në gjyqësor, si dhe luftës kundër korrupsionit.
Bëhet fjalë për mjete nga pakoja që KE-ja vendosi gjatë krizës së koronavirusit. Në 2020 dhe 2021, Republika e Maqedonisë së Veriut shfrytëzoi 160 milionë euro mbështetje mikrofinanciare nga BE-ja për t’u ballafaquar me pasojat ekonomike të koronavirusit.