Presidenti i Koresë së Jugut zotohet të mobilizojë të gjitha burimet, ndërsa fajëson dështimin e autoriteteve
Presidenti i Koresë së Jugut, Yoon Suk-Yeol, fajësoi dështimin e autoriteteve për të ndjekur rregullat e reagimit ndaj fatkeqësive pas përmbytjeve katastrofike. Numri i të vdekurve është rritur në 40, ndërsa dhjetra të tjerë rezultojnë të zhdukur. Përmbytjet kanë goditur rajonet qendrore dhe jugore që nga e enjtja, ndërsa sezoni i shirave që filloi në fund të Qershorit arriti kulmin përgjatë Korrikut. Ministria e Brendshme ka raportuar gjithashtu se 34 janë plagosur.
Tre trupa u gjetën nga autoritetet në një tunel në Cheongju, 110 km në jug të Seulit, ku 16 automjete, duke përfshirë një autobus, u përmbytën. Disa shoferë që përdorin rregullisht rrugën fajësuan qeverinë për dështimin për të menaxhuar përmbytjet.
Gati 900 zjarrfikës, policë dhe zyrtarë ushtarakë morën pjesë në operacionin e kërkim-shpëtimit duke përdorur varka, drone nënujore dhe pajisje të tjera. Ndërkohë, Administrata Meteorologjike e Koresë ka lëshuar më shumë paralajmërime për shira të dendur për provincat jugore të vendit.
Në të gjithë vendin, shirat detyruan evakuimin e rreth 10,570 njerëzve nga shtëpitë e tyre dhe lanë 28,607 familje pa energji elektrike. Qeveria, vitin e kaluar u zotua të marrë hapa për të përballuar më mirë katastrofat e shkaktuara nga ndryshimet klimatike, pasi reshjet më të mëdha në 115 vjet goditën Seulin, duke lënë të paktën 14 të vdekur dhe duke përmbytur metro, rrugë dhe shtëpi.
Klan News