I “nxehti afrikan” edhe javën e ardhshme – priten temperatura rekorde!

Autoritetet bëjnë thirrje për kujdes gjatë ekspozimit në diell

Drejtoria për Punë Hidrometereologjike ka njoftuar se rajoni i vendit tonë edhe gjatë periudhës së ardhshme do të jetë nën ndikimin e një mase shumë të nxehtë ajrore, njofton KlanM.

“I nxehti afrikan”, “Saçi mbi kokë”, “Verë e vërtetë” janë disa nga komentet e shumë qytetarëve për valën ekstreme të të nxehtit që ka kapluar vendin por edhe pjesë të Evropës.

Metereologët, siç njofton KlanM, thonë se valë e nxehtë, javën e ardhshme mund të sjellë temperatura rekorde, por edhe thatësirë.

Gjatë dhjetë ditëve të ardhshme nuk ka paralajmërime për të reshura dhe freskim të motit. Do të ketë shumë diell, kurse indeksi UV do të ketë vlerë të lartë – 10.

Temperaturat do të jenë shumë mbi mesataren dhe në pjesën më të madhe të vendit do të tejkalojnë 35 gradë, kurse lokalisht edhe mbi 40 gradë. Metereologët, sic percjell KlanM, njoftojnë se këto temperatura të ajrit maten nën hije, derisa në diell ato do të jenë shumë më të larta.

Në Shkup si dhe në pjesët qendrore dhe juglindore të vendit, gjatë natës, temperaturat nuk do të zbresin nën 20 gradë, që do të thotë se do të ketë të ashtuquajtura “Netë tropikale”.

Për shkak të motit të nxehtë por edhe për shkak të vlerës së lartë të indeksit UV, sic percjell KlanM, autoritetet kanë rekomanduar që qytetarët pa nevojë të mos dalin jashtë shtëpive nga ora 11.00 deri ora 17.00./KlanMacedonia

Lexo gjithashtu
Total
0
Share