Shqipëri: Nis seanca për heqjen e imunitetit të Ahmetajt

Ka nisur seanca e posaçme parlamentare për imunitetin e Arben Ahmetajt.

Për këtë çështje opozita dhe mazhoranca kanë rënë dakord në Këshillin e Mandateve që t’i japin autorizim SPAK-ut që të arrestojë dhe kontrollojë banesën e ish-zv/kryeministrit. Megjithatë në foltoren e Kuvendit do të lexohen 2 raporte të ndryshme.

Vetë Arben Ahmetaj nuk është i pranishëm në seancë dhe siç ka deklaruar në rrjetet sociale shprehet se nuk është në arrati (Lexo më shumë). Avokatët e tij kanë pohuar se ai nuk ndodhet në Shqipëri, por nuk dihet se në cilin shtet ndodhet.

Mosprania e Ahmetajt në seancë shkaktoi debatet e para mes opozitës dhe mazhorancës. Deputetët e PD-së kërkuan që të bëhet publike vendndodhja e Ahmetajt dhe nëse ai nuk paraqitet në vend të tij të flasë Kryeministri Edi Rama. Ky i fundit ishte i pranishëm në nisje të seancës.

Pas kësaj, Kryeparlamentarja bëri thirrje që seanca të vijojë normalisht dhe opozita të relatojë raportin e saj. Nikolla tha se Ahmetaj është informuar për këtë seancë, megjithatë ajo tha se nuk kishte dijeni për vendndodhjen e tij.

Kujtojmë që ditën e djeshme, në seancë plenare, opozita kërkoi që të diskutohet sa më shpejt raporti për Arben Ahmetajn. Por mazhoranca kundërshtoi duke thënë se do të ndjekë procedurën dhe këtë çështje do ta diskutojë të hënën e 17 Korrikut, ashtu siç ishte vendosur fillimisht.

Ndërprerjet e vazhdueshme të seancës dhe protestat e deputetëve opozitarë detyruan socialistët të kërkonin mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve dhe në përfundim u vendos që seanca të mblidhej sot.

“Ishte tërësisht e pamundur zhvillimi sot (të enjten) sepse duhej parashikuar të paktën 48 orëshi nga momenti i mbylljes së Këshillit të Mandateve. Prandaj në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve kam propozuar ditën e nesërme (e premte) dhe kjo gjë u miratua me konsensus që të jemi korrektë”, tha Balla pas vendimit.

Për kërkesën e SPAK, Këshilli i Mandateve u mblodh për dy ditë rresht.

Prokuroria e Posaçme i kërkon Kuvendit të hapë rrugën për arrestimin dhe kontrollin e banesës së ish-zv/kryeministrit Arben Ahmetaj, të cilin po e heton për tre akuza, më e rënda ajo për korrupsion.

Në dosjen voluminoze prej 320 faqesh krahas Ahmetajt rezultojnë të përfshirë për aferën e inceneratorëve edhe persona të tjerë, ndaj SPAK i kërkoi Kuvendit që seancat e Këshillit të Mandateve të mbaheshin pa praninë e medias./tvklan.al

Lexo gjithashtu
Total
0
Share