Bytyqi në Zhelinë: Të rinjtë do të kenë qendër kulturore ku do mund ta zhvillojnë potencialin e tyre kreativ

Të gjithë të rinjtë në të gjitha komunat e meritojnë këndin e tyre, prandaj jam i kënaqur që të rinjtë në komunën e Zhelinës do të kenë një Qendër Kulturore Rinore, tha zëvendëskryeministri i Qeverisë, përgjegjës për çështje ekonomike, koordinim me resorët ekonomikë dhe investimet, Fatmir Bytyqi.

Zëvendëskryeministri Bytyqi vizitoi komunën e Zhelinës, ku inspektoi punën e bërë në kuadër të projektit TAV për ndërtimin e Qendrës Kulturore Rinore, e cila u realizua përmes programit TAV, përmes të cilit realizohen projekte infrastrukturore në të gjitha komunat e vendit.

“Është e rëndësishme që këto janë projekte të aplikuara nga vetë komunat, që do të thotë se janë kërkesat dhe prioritetet e tyre që i kanë perceptuar për bashkëqytetarët e tyre. Qendra Kulturore Rinore në Zhelinë, sipas projektit dhe zotimit nga Qeveria, ka përfunduar, ashtu siç është paraparë në kontratën e nënshkruar me komunën e Zhelinës, sepse punimet ndërtimore kanë përfunduar sipas buxhetit të parashikuar prej rreth 300 mijë euro, deri në fasadën e jashtme të objektit”, tha Bytyqi.

Zëvendëskryeministri informoi se tashmë komuna ka obligim të kompletojë interierin.

“Pas kësaj, banorët e Zhelinës, veçanërisht të rinjtë, do të kenë një hapësirë ku mund të shprehin dhe zhvillojnë potencialin e tyre kreativ, për realizimin e ideve dhe projekteve të reja të rëndësishme për zhvillimin e Zhelinës. Kjo godinë do të jetë shtëpia e tyre e dytë, nga e cila presim të dalin shumë diskutime dhe ide për progres për brezat e rinj”, tha Bytyqi dhe shtoi se deri më sot kemi mbi 76% të projekteve të nisura me programin TAV dhe se realizimi i këtyre projekteve të rëndësishme po zhvillohet me sukses sipas dinamikës së parashikuar.

“Nga gjithsej 82 projekte të filluara në vlerë prej 49,7 milionë euro, janë përfunduar 60 projekte infrastrukturore, ndërsa në 22 të tjera po punohet aktualisht. Për 10 projektet e mbetura, realizimi do të fillojë këto ditë”, tha Bytyqi.

Drejtori i përgjithshëm i TAV Maqedoni, Nexhat Kurt tha se punimet në kuadër të këtij projekti për ndërtimin e Qendrës Rinore përfshijnë punime betoni dhe armature deri te ujësjellësi, punime elektrike dhe të fasadës, kurs vlera e këtij projekti është gati 300.000 euro.

“Mendojmë se kjo Qendër Rinore në të ardhmen do t’i ofrojë dhe do t’u mundësojë popullatës së re në Zhelinë mbështetje për zhvillimin e tyre personal dhe pjesëmarrjen e tyre aktive në komunitet. Bashkëpunimi ynë i shkëlqyer me Qeverinë dhe autoritetet lokale vazhdon, ndërsa përfitimet për bashkësitë lokale dhe infrastrukturën e përgjithshme të vendit do të zgjasin”, tha Kurt.

Kryetari i komunës Blerim Sejdiu falënderoi zëvendëskryeministrin Bytyqi për kontributin e dhënë që komuna e Zhelinës të ketë Qendër Kulturore Rinore, sepse deri më tani të rinjtë e kësaj komune nuk kishin këndin e tyre për të shprehur potencialin e tyre intelektual.

“Ky projekt është Qendra e parë Rinore në komunën tonë. Të rinjtë do të kenë një shtëpi tjetër ku mund të zhvillojnë idetë e tyre duke shfrytëzuar këtë objekt të rëndësishëm të destinuar për të rinjtë, por edhe për të gjithë të tjerët që do të përdorin Qendrën Kulturore Rinore në të ardhmen. Ne si komunë e Zhelinës kemi aplikuar në vitin 2021 dhe ndërtimi ka përfunduar vitin e kaluar në vitin 2022, tani presim që të përfundojë edhe faza e dytë”, tha Sejdiu.

Nëpërmjet programit TAV, Qeveria dhe TAV ndërtojnë, kanalizime, ujësjellës, salla sporti, rrugë, kopshte, shtëpi për të moshuar dhe qendra rinore, projekte me rëndësi infrastrukturore për bashkëqytetarët tanë.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share