NATO “përkul muskujt” për të mbrojtur samitin e Vilniusit

Gjashtëmbëdhjetë aleatë të NATO-s kanë dërguar një total prej 1,000 trupa, avionë dhe pajisje të ndryshme ushtarake

NATO e ka kthyer Vilniusin në një kështjellë të mbrojtur me armatime të avancuara për sigurinë e presidentit të SHBA, Joe Biden dhe liderë të tjerë të aleancës që takohen javën e ardhshme vetëm 32 km nga gardhi kufitar i Lituanisë.

Gjashtëmbëdhjetë aleatë të NATO-s kanë dërguar një total prej 1,000 trupash në samitin që do të mbahet në 11-12 Korrik. Shumë prej tyre po ofrojnë gjithashtu sisteme të avancuara të mbrojtjes ajrore, të cilat u mungojnë shteteve baltike.

“Do të ishte më se e papërgjegjshme të kishim qiellin tonë të pambrojtur pasi Biden dhe liderët e 40 vendeve do të mbërrijnë në këtë samit. Kjo situatë është vërtet shumë e tensionuar për shkak të agresionit rus kundër Ukrainës. Pra, tashmë është në një nivel shumë, shumë të lartë. Dhe padyshim, ky kërcënim i regjimit të Lukashenkos për të përdorur armë bërthamore kundër gjithë botës krijon vërtet shumë shqetësime. Dhe kjo është arsyeja pse ne po flasim për masa shumë të forta sigurie shtesë.”

Vendet baltike si Lituania, Estonia dhe Letonia, dikur nën sundimin e Moskës, por pjesë e NATO-s dhe Bashkimit Evropian që nga viti 2004, të gjitha shpenzojnë mbi 2% të ekonomive të tyre për mbrojtje.

Por për rajonin me një popullsi totale prej rreth 6 milionë banorësh, kjo nuk është e mjaftueshme për të mbështetur ushtritë e mëdha, për të investuar në avionët e tyre luftarakë ose në mbrojtje të avancuar ajrore. Përpjekja për të garantuar sigurinë ajrore gjatë samitit do të thotë që NATO-s duhet të krijojë urgjentisht mbrojtje të përhershme ajrore në shtetet baltike.

“Ne mendojmë se çfarë do të ndodhë pas përfundimit të samitit dhe do të punojmë me aleatët për të krijuar një forcë gjithëpërfshirëse për një mbrojtje të përhershme ajrore. Por ajo që është më e rëndësishme për mua është që njerëzit tanë të mbrohen pas largimit të liderëve. Pra, në këtë kuptim kemi ende punë për të bërë, por pres me optimizëm.”

Gjermania, Spanja, Franca, Finlanda, Danimarka dhe Mbretëria e Bashkuar kanë angazhuar një arsenal armatimesh moderne për të ruajtur sigurinë e samitit. Të tjera vende pritet të dërgojnë pajisje në rast të çdo sulmi të mundshëm kimik, biologjik, radiologjik dhe bërthamor.

Në fshatrat pranë kufirit me Bjellorusinë, vendasit i thanë Reuters se ndihen plotësisht të sigurt, pavarësisht ofertës së Bjellorusisë për të akomoduar milicinë private të Rusisë, Wagner dhe mbajtjen e armëve bërthamore ruse.

“A mendoni se Wagner apo Bjellorusia mund të sulmojnë Lituaninë, e cila është në NATO? Ata nuk kanë guxim. NATO është NATO dhe ne ndihemi të sigurt sepse jemi në NATO. Pse do të kishim frikë nga ata bjellorusët?”

Nga ana tjetër, Lituania ka trefishuar trupat roje në kufijtë e Bjellorusisë dhe Rusisë. Mijëra emigrantë nga Lindja e Mesme kanë kaluar në kufirin Bjellorusi në vitin 2021, në një përpjekje që Lituania dhe Bashkimi Evropian thanë se ishte orkestruar nga Minsku, një akuzë që ajo e mohon.

Klan News

Lexo gjithashtu
Total
0
Share