Clinton, ‘Presidenti i shqiptarëve’: Amerikani që i dha fund genocidit serb në Kosovë

Ishte 24 Marsi i vitit 1999, nga zyra ovale e Shtëpise së Bardhë bota dëgjoi nga zëri i Presidentit Bill Clinton urdhrin për të bombarduar Serbinë. Të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, avionët luftarakë të Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut në këtë ditë të vitit 1999 filluan fushatën e bombardimeve kundër objektivave ushtarake serbe në ish-Jugosllavi që zgjati deri më 10 Qershor 1999.

“Shtetet e Bashkuara dhe aleatët tanë të NATO-s bënë përpjekje të përsëritura për të gjetur një zgjidhje paqësore të krizës në Kosovë. Megjithatë, presidenti Millosheviç, i cili filloi luftërat kundër Kroacisë dhe Bosnjës, zgjodhi agresionin në vend të paqes dhe shkeli zotimet që mori vjeshtën e kaluar për të ndaluar represionin brutal të Kosovës. Sulmet ajrore të Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të NATO-s kanë tre objektiva: Për të penguar Presidentin Millosheviç që të vijojë të përshkallëzojë sulmet e tij ndaj civilëve të pafuqishëm. Për të demonstruar seriozitetin e kundërshtimit të NATO-s ndaj agresionit dhe mbështetjen për paqen. Nëse është e nevojshme, të dëmtojmë kapacitetin e Serbisë për të vijuar luftën kundër Kosovës duke zvogëluar seriozisht aftësitë e saj ushtarake.”

Ky ishte misioni i dytë i rëndësishëm i NATO-s, pas bombardimeve në Bosnjë e Hercegovinë në vitin 1995. Sulmet ajrore kundër forcave serbe e malazeze vazhduan deri më 9 Qershor të vitit 1999, kur u arrit Marrëveshja e Kumanovës, e cila ndryshe njihet edhe si kapitullimi i ish-presidentit serb Sllobodan Millosheviç. Më 11 Qershor forcat serbe u detyruan të lënë territorin e Kosovës. Më 11 Qershor të vitit 2009 Clinton u nderua nga ish-presidenti Hashim Thaçi me “Urdhrin e Lirisë” për kontributin e tij në çlirimin e Kosovës.

Presidenti Bill Clinton ka më shumë se 22 vjet që ka lënë detyrën e kreut të shtetit në SHBA. Por në memorien e kombit tonë ai mbetet personaliteti më i rëndësishëm pro-shqiptar dhe ai që ka bërë më shumë se askush tjetër për shqiptarët. Vizita e tij në Tiranë është një moment historik për të shprehur mirënjohjen personale ndaj tij, por edhe mirënjohjen historike ndaj SHBA.

Klan News

Lexo gjithashtu
Total
0
Share