Rikthehet qetësia pas trazirave në Francë

Familjarët e adoleshentit të vrarë, thirrje të ndalen aktet e dhunes

Të afërmit e adoleshentit 17-vjeçar që u vra nga policia në Nanterre në periferi të Parisit i kanë bërë thirrje demostruesve që të ndalin trazirat. Gjyshja e adoleshentit të vrarë nga policia u bëri thirrje të ndalen aktet e dhunës. E identifikuar si Nadia, ajo në një intervistë telefonike në televizionin BFM u shpreh se dhuna duhet të marrë fund. Sipas saj, protestuesit po e përdorin vdekjen e nipit të saj si një justifikim për të kryer akte dhune.

“Po u bëj thirrje protestuesve që të ndalojnë. Naheli ka vdekur. Vajza ime është e shkatërruar, tani ajo nuk ka më jetë”, tha gjyshja e 17-vjeçarit që vdiq pasi u qëllua nga një punonjës policie.

Një tjetër i afërm i 17 vjeçarit ka bërë të njëjtën thirrje.

Ne nuk kemi kërkuar të thyejmë apo të vjedhim. E gjithë kjo nuk është për Nahelin,” i tha ai BBC-së, duke folur në kushte anonimiteti.

Familjarët kanë kërkuar që Franca tani duhet të ndryshojë ligjin që lejon policët të qëllojnë gjatë kontrolleve, si dhe bën gjithashtu thirrje për trajnim më të mirë për policinë franceze, rregullimin e armëve dhe rishikimin e ligjit që lejon policinë të përdorë forcën nëse një i ri refuzon të ndalojë.

Nata e gjashtë ka kaluar e qetë në disa qytete franceze. Dëmet janë të mëdha, qindra dyqane dhe automjete janë shkatërruar e plaçkitur. Autoritetet franceze kanë deklaruar se do të akordojnë një fond prej gati 2 milionë Euro për kompesimin e pronarëve të dyqaneve.

Protestuesit vendosën lule në vendin ku Nahel u vra. Oficerët e policisë patrulluan zonën dhe një varg furgonash policie u parkuan përgjatë rrugës pas trazirave masive.

Rreth 2.800 protestues janë arrestuar gjithsej që nga vdekja e Nahelit më 27 Qershor. Dislokimi masiv i policisë është mirëpritur nga disa banorë të frikësuar në lagjet e shënjestruara dhe pronarë dyqanesh që janë plaçkitur.

Qindra policë dhe zjarrfikës francezë kanë mbetur të plagosur nga trazirat që shpërthyen pas vrasjes së Nahelit.

Klan News

Lexo gjithashtu
Total
0
Share