Sulme me dron gjatë natës në Kiev

Presidenti i Ukrainës: Do t’i hapet rruga diplomacisë nëse njihen kufijtë e vitit 1991

Rusia ka kryer një sulm me dron gjatë natës në Kiev. Forcat ajrore ukrainase kanë bërë të ditur se sulmi përfshinte tetë drone Shahed të prodhuar nga Irani dhe tre raketa lundrimi të cilat u rrëzuan.

Si pasojë e sulmeve ka mbetur i plagosur një person ndërsa janë dëmtuar 3 shtëpi. Teksa luftimet në terren vijojnë rreziku në centralin bërthamor të Zaporizhias është real.

Presidenti Zelensky bëri thirrje për vëmendje më të madhe ndërkombëtare ndaj centralit të Zaporizhias, objekti më i madh bërthamor në Evropë, dhe kërkoi sanksione ndaj kompanisë shtetërore bërthamore ruse Rosatom. Presidenti i Ukrainës u shpreh se Moska është e gatshme të nisë një sulm në central.

“Ekziston një kërcënim serioz sepse Rusia është teknikisht e gatshme të provokojë një shpërthim lokal në central, i cili mund të shkaktoj rrezatim”, tha ai.

Arritjet e kundërofensivës ukrainase ndaj rusëve kanë bërë që presidentin Zelensky të shtojë pretendimet e tij në lidhje me një negociatë të mundshme me Putinin për fundin e luftës.

“Kufijtë e 24 Shkurtit nuk janë kufijtë tanë. Ukraina do të jetë gati për një marrëveshje kur të kemi kufijtë tanë siç ishin në vitin 1991”, tha Zelensky.

Pasi Ukraina fitoi pavarësinë nga Bashkimi Sovjetik në vitin 1991, Rusia aneksoi Krimenë në vitin 2014. Edhe pse Rusia e pretendon gadishullin si të sajin, fuqitë perëndimore nuk e njohin këtë aneksim.

Klan News

Lexo gjithashtu
Total
0
Share