Ministri ukrainas i Drejtësisë, Denis Maliuska, i tha televizionit ‘N1’ në Zagreb se rreth 100 mijë krime lufte të kryera nga forcat ruse gjatë agresionit kundër Ukrainës janë regjistruar deri më tani.
Ai e deklaroi këtë me rastin e një punëtorie treditore për hetimin dhe ndjekjen penale të krimeve të luftës – transferimi i njohurive dhe përvojës së Kroacisë për gjyqtarët dhe prokurorët ukrainas.
Ai tha gjithashtu se është e vështirë të krijohet një gjykatë për këto krime lufte, por shtoi se “pozita e [Vlladimir] Putinit në Rusi është tronditur dhe shanset që ai të arrestohet dhe të paraqitet në Hagë tani janë shumë më të larta se një gjysmë viti më parë”.
Maliuska shtoi se hetuesit kanë mbledhur prova nga rrjetet sociale dhe i kanë përdorur ato në hetime që nga viti 2014.
Punëtoria për hetimin dhe ndjekjen penale të krimeve të luftës u organizua nga Ministria e Drejtësisë dhe Administratës së Kroacisë në bashkëpunim me Grupin Këshillues për Krimet dhe Mizoritë./VOA