Protestat në Francë, Macron: Situatë e papranueshme!

Presidenti Emmanuel Macron dënoi protestat e dhunshme që kanë shpërthyer në vend duke e cilësuar situatën aktuale si të papranueshme.

“Dënoj ashpër të gjithë ata që po e shfrytëzojnë këtë situatë për të krijuar kaos dhe shënjestruar institucionet tona. Ata janë përgjegjës për këto veprime të tmerrshme”.

Megjithatë, Macron premtoi marrjen e një sërë masash për të shuar trazirat. Ai theksoi se mediat sociale po ndihmojnë protestuesit të organizohen, por gjithashtu kanë nxitur dhunën.

“Në orët në vijim do të marrim masa dhe kemi filluar zbatimin e tyre në koordinim me platformat e mediave sociale për të kontrolluar përmbajtjen”.

Nga protestat e natës së tretë u përfshinë disa nga qytetet më të mëdha të vendit ku ka patur përleshje fizike mes protestuesve dhe policëve. Në Paris, dyqanet u plaçkiten dhe makinat u dogjën, pavarësisht nga prania e madhe e policisë. Rreth 40,000 oficerë u vendosën në të gjithë Francën ndërsa numri i të arrestuarve deri më tani ka shkuar në 875.

Policia ka pretenduar se 17-vjeçari, i cili vinte nga një familje franko-algjeriane tentoi t’i përplaste efektivët me makinën e tij, por një video e bërë publike tregon që njëri prej policëve e qëllon pasi ai nuk i bindet.

Vitin e kaluar, 13 persona u vranë në rrethana të tilla, pasi refuzuan të ndalonin për kontrolle nga policia.

Klan News

Lexo gjithashtu
Total
0
Share