Policia jep informacion zyrtar mbi vrasjen e dyfishtë, babë e bir, në Dukagjin

Policia ka dalë me një njoftim zyrtar përsa i përket vrasjes së babë e bir në Dukagjin.

Uniformat blu bëjnë me dije se viktimat Gjokë Gurra 57 vjeç dhe Eduart Gurra 31 vjeç janë vrarë në rrethana të paqarta.

Vrasja ka ndodhur ditën e sotme rreth orës 16:40 në fshatin Sumë të Njësisë Administrative Pult të Dukagjinit.

Policia njofton se viktimat ishin banues në lagjen Partizani në qytetin e Shkodrës.

Nga informacionet policore bëhet me dije se mbrëmjen e së mërkurës, shtëpisë së familjes Gurra në Dukagjin i ishte vendosur zjarri nga persona të paidentifikuar.

Nga zjarrvënia nuk ishte lënduar asnjë person pasi aty nuk banonte askush. Viktimat banonin në lagjen Partizani në Shkodër.

Familja Gurra u njoftua për djegien e banesës dhe sot babë e bir, Gjokë dhe Eduart Gurra, shkuan të shikonin shtëpinë e shkrumbuar.

Mesa duket ngjarja ka qenë pritë. Aty, përpara shtëpisë së djegur, ata u ekzekutuan me armë zjarri nga persona të panjohur dhe mbetën të vdekur në vend.

Shërbimet e Policisë dhe Grupi hetimor janë nisur menjëherë për në vendngjarje.

NJOFTIMI I POLICISË:

Rreth orës 16:40, në fshatin Sumë, Njësia Administrative Pult, në rrethana ende të paqarta janë vrarë me armë zjarri shtetasit Gj. G., 57 vjeç dhe djali i tij, E. G., 31 vjeç, banues në lagjen “Partizani”, Shkodër.

Shërbimet e Policisë dhe Grupi hetimor janë nisur menjëherë për në vendngjarje.

Me mbërritjen e shërbimeve dhe sqarimin e rrethanave të ngjarjes do të japim përsëri njoftim më të detajuar.

/tvklan.al

Lexo gjithashtu
Total
0
Share