Një ngjarje e rëndë kriminale ka tronditur zonën e Dukagjinit ditën e sotme, ku babë e bir janë ekzekutuar në pritë nga persona të paidentifikuar.
Vrasja ka ndodhur në fshatin Sumë të Njësisë Administrative Pult.
Korrespondentja e Klan News, Emi Kalaja, ka mësuar se viktimat janë Gjokë Gurra 57 vjeç dhe Eduart Gurra 31 vjeç.
Babë e bir u vranë përpara shtëpisë së tyre në fshat që ishte përfshirë nga flakët e zjarrit.
Nga informacionet policore bëhet me dije se mbrëmjen e së mërkurës, shtëpisë së familjes Gurra i ishte vendosur zjarri nga persona të paidentifikuar.
Nga zjarrvënia nuk ishte lënduar asnjë person pasi aty nuk banonte askush. Viktimat banonin në lagjen Partizani në Shkodër.
Familja Gurra u njoftua për djegien e banesës dhe sot babë e bir, Gjokë dhe Eduart Gurra, shkuan të shikonin shtëpinë e shkrumbuar.
Mesa duket ngjarja ka qenë pritë. Aty, përpara shtëpisë së djegur, ata u ekzekutuan me armë zjarri nga persona të panjohur dhe mbetën të vdekur në vend.
Në vendngjarje kanë shkuar forcat e Policisë së Shkodrës, ndërsa po hetohet për të zbardhur shkaqet e këtij krimi të rëndë si dhe për të identifikuar e zbuluar autorët.
NJOFTIMI I POLICISE:
Rreth orës 16:40, në fshatin Sumë, Njësia Administrative Pult, në rrethana ende të paqarta janë vrarë me armë zjarri shtetasit Gj. G., 57 vjeç dhe djali i tij, E. G., 31 vjeç, banues në lagjen “Partizani”, Shkodër.
Shërbimet e Policisë dhe Grupi hetimor janë nisur menjëherë për në vendngjarje.
Me mbërritjen e shërbimeve dhe sqarimin e rrethanave të ngjarjes do të japim përsëri njoftim më të detajuar./tvklan.al