Një ditë pasi u raportuan më shumë se 30 humbje jete në radhët e emigrantëve pasi varka me të cilën ata udhëtonin u fundos pranë ishujve Kanarie të Spanjës, zyrtarët kanë bërë me dije se të paktën 227 emigrantë janë shpëtuar.
Një pjesë e tyre janë dërguar në spital për mjekim më të specializuar pasi ndodhen në gjendje të rëndë shëndetësore.
Ditën e djeshme, dy organizata bamirëse “Walking Borders” dhe “Alarm Phone” raportuan se më shumë se 30 emigrantë mund të jenë mbytur pasi gomonia e tyre u mbyt në Gran Canaria.
Udhëheqësi i rajonit të Ishujve Kanarie, Angel Victor Torres, e përshkroi incidentin si një “tragjedi” dhe i bëri thirrje Bashkimit Evropian të krijojë një politikë migracioni që ofron përgjigje të koordinuara dhe mbështetëse për çështjen e migrimit.
Shumë emigrantë udhëtojnë nga Afrika me shpresën për të arritur në Evropë. Rruga e migrimit Afrikë Perëndimore-Atlantik konsiderohet si një nga më vdekjeprurësit në botë, ku të paktën 543 migrantë vdiqën ose u zhdukën gjatë atij kalimi në vitin 2022, sipas OKB-së./tvklan.al