37 të plagosur pas shpërthimit të fuqishëm në Paris

Tridhjetë e shtatë persona mbetën të plagosur dhe katër prej tyre janë në gjendje kritike për jetën pas shpërthimit në qendër të Parisit.

Shpërthimi ndodhi në rrugën Saint-Jacques, në lagjen latine të kryeqytetit francez, duke shembur fasadën e një ndërtese, ndërsa disa të tjera morën flakë. Sipas dëshmitarëve, para shpërthimit ka pasur një erë të fortë gazi. Por autoritetet kanë hapur hetim për të kuptuar shkaqet.

“Ishte një shpërthim, m’u duk si një bombë. Gjithçka ishte thyer. Çdo gjë përreth ishte shkatërruar edhe era e gazit ishte shumë e fortë edhe pas shpërthimit”.

“Isha në sheshin përballë kishës Val-de-Grace, po flisja në telefon. Papritur, dëgjova një zhurmë të madhe si ato që dëgjojmë në filma apo në televizor dhe me të vërtetë u trondita. Ishim pak në shesh, vrapuam të gjithë”.

Ekipet e kërkim-shpëtimit vijojnë punën për të gjetur dy persona të cilët rezultojnë të zhdukur nëpër rrënojat e ndërtesës. Zona ku ndodhi shpërthimi e njohur si lagja latine frekuentohet shumë nga studentët.

Kryetarja e Bashkisë së Parisit, Anne Hidalgo dhe ministri i Brendshëm Gerald Darmanin kanë paralajmëruar njerëzit që të shmangin zonën. Rruga të çon nga katedralja Notre-Dame de Paris në Universitetin e Sorbonës dhe spitalin ushtarak Val de Grace dhe është disa blloqe larg Parkut të Luksemburgut.

Në vitin 2019, një rrjedhje gazi shkaktoi një shpërthim që vrau 4 persona dhe plagosi 66 në lagjen nr. 9-të në Paris.

Klan News

Lexo gjithashtu
Total
0
Share