Goli i parë i Jasir Asanit për kombëtaren shqiptare nuk ka kaluar pa u vënë re. Faqja zyrtare e UEFA-s e konsideron si një nga golat më të bukur të ndeshjeve që u luajtën këtë raund.
“Kush shënoi golin më të bukur”, pyet UEFA në Facebook.
I pari në listë është aksioni që u finalizua me goditjen e Asanit. Në listë janë edhe golat e Elmas për Maqedoninë e Veriut, Ranos për Armeninë dhe Silvës për Portugalinë.
Kjo ishte ndeshja e dytë e Asanit për Shqipërinë dhe goli i tij i parë. E për këtë tha se është goli më i rëndësishëm i karrierës së tij deri më tani.
“Është goli më i rëndësishëm në karrierën time deri tani. Goli i parë me kombëtaren do e mbaj mend gjithmonë sepse është një gol shumë i rëndësishëm për mua”, tha ai për TV Klan pas ndeshjes të shtunën.
Shqipëria fitoi me rezultatin 2 me 0 përballë Moldavisë. Kështu kuqezinjtë morën tre pikët e para drejt rrugëtimit të tyre për Euro 2024. Ndeshja u luajt në Tiranë në stadiumin “Air Albania” dhe u transmetuar drejtpërdrejt në Tv Klan./tvklan.al