BËHET THIRRJE PËR KUJDES PËRGJATË RRJEDHJES SË LUMEJVE
Pas shtatë orë ndërprerje, pasdite është lëshuar për qarkullim në dy drejtimet trafiku në rrugën Gradsko-Prilep në Pletvar. Në mëngjes automjetet që ishin nisur drejt Manastirit dhe Prilepit kishin mbetur të bllokuar për shkak të rrëshqitjeve të dheut dhe përmbytjeve.
Situatë më kritike ka qenë në Drenovë, ku janë shkaktuar dëme nga derdhja e lumit afër fshatit Raec. Ekipi i Klan Maqedoni kishte qenë në vendngjarje duke ndjekur nga afër zhvillimet për vënien në funksion të magjistrales.
Banorët e goditur nga përmbytjet bëjnë bilancin e dëmeve.
Situatë e rëndë është shënuar edhe në disa rajone tjera. Shtëpi e ura të përmbytura, fshatra të izoluara, dëme të mëdha materiale janë shënuar në rajonin e Kriva Pallankës. Autoritetet kanë njoftuar se drejtimet rrugore për disa fshatra janë ndërprerë për shkak të rritjes së nivelit të lumejve.
Pamjet e shpërndara në rrjetet sociale, tregojnë derdhjet e lumejve në Kriva Pallankë, kurse nga Qendra për Menaxhim me Kriza bëjnë thirrje që të mos shfrytëzohen disa ura në fshatin Pçinja, për shkak të konstruksionit të dobët dhe mundësisë së rrënimit.
Përmbytje dhe dëme materiale janë shënuar edhe në Kavadar dhe vise tjera të vendit, kurse autoritetet lokale thonë se bëjnë vlerësimet e dëmeve./KlanMacedonia