Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka pranuar vërtetësinë e informacioneve të publikuara në media se ekziston një letër e dërguar nga presidenti francez, kancelari gjerman dhe kryeministrja italiane drejt tij. Në një intervistë për Klan Maqedoni, Kurti ka sqaruar se letra është dërguar para se të ndodhë, sipas tij, rrëmbimi i policëve në veri të Kosovës.
“Aty kërkohet de-eskalimi i situatës në veri dhe normalizimi i raporteve me Serbinë. Unë jam për të dyja këto. Për de-eskalim është e nevojshme të kemi sundim të ligjit në veri të Kosovës dhe gjithashtu të përgatitemi për zgjedhje të parakohshme”, tha Kurti.
Sipas Kurtit, edhe presidenti Macron, kancelari Scholz dhe kryeministrja Meloni, në letrën drejtuar tij kanë kërkuar mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në komunat e veriut të Kosovës.
“Edhe unë jam dakord për gjë”, shtoi Kurti për KlanM.
Kryeministri Kurti u shpreh se rreth objekteve komunale në tre komunat, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok nuk ka policë të Kosovës. Policët, siç shton Kurti, ndodhen brenda objekteve komunale. Kjo sepse sipas tij, ka pasur mësymje të ektremistëve të dhunshëm dhe grupeve kriminale.
“Unë kam shprehur gatishmërinë që në përputhje me kërkesat e tyre, që të ulemi dhe ta dizajnojmë një sekuencim korrekt dhe të balancuar për zbatimin e marrëveshjes bazike dhe të aneksit të implementimit, përkatësisht të realizuara më 27 shkurt në Bruksel dhe më 18 mars në Ohër”, deklaroi në një intervistë për Klan Maqedoni, Albin Kurti./KlanMacedonia