Shtetet e Ballkanit Perëndimor janë ndër ato që vuajnë dëmin më të madh kur bëhet fjalë për problemin e ikjes së trurit, përcjell KlanM.
Sipas asaj që u theksua në panelin e diskutimit për të rinjtë me titull “Zhvillimi i aftësive dhe krijimi i mundësive: strategji për parandalimin e ikjes së trurit” në kuadër të Forumit të Prespës që nga sot po mbahet në Strugë, përfaqësues të qeverisë dhe institucioneve ndërkombëtare, shoqatat e të rinjve dhe organizatave joqeveritare debatuan për zgjidhje konkrete për të ndikuar në uljen e migrimit, veçanërisht të të rinjve, dhe si të inkurajohen ata që emigruan të kthehen në atdhe.
Sipas panelistëve, tabloja në rajon sot nuk është bardh e zi, por gri, me konkurrencë të theksuar në tregun e punës. Siç thanë ata, ndryshe nga sa ishte dhjetë vjet më parë kur kërkohej ndonjë punë, tani njerëzit nga vendet e rajonit kërkojnë punë më të paguara dhe kushte më të mira pune.
Ambasadori evropian David Geer, duke iu drejtuar Panelit, theksoi se procesi i zgjerimit të Unionit si transformim i shoqërive nuk i zgjidh të gjitha problemet, përfshirë edhe atë me ikjen e trurit.
“Çështja e migrimit të njerëzve, duke përfshirë edhe ikjen e trurit, është një problem i pranishëm edhe në vendet anëtare të BE-së. Procesi i transformimit të shteteve përmes zgjerimit të Unionit nuk do të thotë zgjidhje automatike e problemit të ikjes së trurit, pamë që në Poloni, Kroaci, Bullgari… Edhe brenda vetë BE-së ka probleme të migrimit dhe emigrimit nga rajonet, zonat rurale, gjë që e vështirëson ndjeshëm zhvillimin e ekuilibruar. Perspektiva e anëtarësimit në BE është ndoshta mjeti më i mirë për të parandaluar shfaqjen e ikjes së trurit”, tha Geer.
Kur bëhet fjalë për Maqedoninë e Veriut, ambasadori evropian theksoi se vendi qëndron në pragun e tregut më të madh në botë prej 450 milionë konsumatorëve, me potencial për rritje të mëtejshme. Sipas tij, pyetja kryesore këtu është se si mund të forcohet standardi i jetesës për të qenë konkurrues me atë në BE, në mënyrë që të fillojë procesi i kthimit të mendjeve siç po përjetojnë tashmë Polonia apo Bullgaria./KlanMacedonia