Shukova në konferencën e OSBE-së në Strugë: Qeveritë t’i vendosin vendet e tyre në trajektore të qëndrueshme

Sot në Strugë në “Konferencën për dimensionin ekonomik dhe mjedisor të OSBE-së” të organizuar në kuadër të kryesimit të Maqedonisë së Veriut me Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në vitin 2023, përfaqësues nga 57 shtetet anëtare të OSBE-së, sektori privat, komuniteti akademik, shoqëria civile dhe organizatat ndërkombëtare diskutojnë çështjet kryesore ekonomike dhe mjedisore që ndikojnë në sigurinë e përbashkët në rajonin e OSBE-së. Tema “Promovimi i sigurisë dhe stabilitetit në fushën e OSBE-së përmes arritjes së zhvillimit të qëndrueshëm dhe rritjes ekonomike të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse” nxiti një diskutim interesant, interaktiv dhe të fokusuar, që mund të rezultojë në rekomandime konkrete dhe të realizueshme për OSBE-në dhe vendet pjesëmarrëse për tema me rëndësi të madhe për të gjitha vendet e rajonit.

Në hapje të Konferencës, në seancën e moderuar, fjalim kishin edhe ministri i Punëve të Jashtme dhe kryetari Bujar Osmani, Zëvendëskryeministrja përgjegjëse për Politika të Qeverisjes së Mirë, Slavica Grkovska dhe ministrja e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Kaja Shukova dhe zëvendësministri i Energjisë të Ukrainës, Yaroslav Demchenkov.

“Nuk duhet të anashkalohet potenciali i OSBE-së në zbutjen e sfidave serioze ekonomike dhe mjedisore me të cilat përballen shoqëritë tona sot. Struktura organizative dhe projektet e rëndësishme që OSBE-ja i zbaton në të gjithë rajonin realisht mund të bëjnë ndryshim dhe të kontribuojnë në mirëqenien e njerëzve”, tha Osmani.

Nga aspekti i politikave të qeverisjes së mire, zëvendëskryeministrja përgjegjëse për Politika të Qeverisjes së Mirë, Slavica Grkovska theksoi imperativin për qeverisje të mire në botën e sotme të ndërlidhur ku ekonomitë dhe mjedisi nuk njohin kufij. “Është një gur themeli mbi të cilin ndërtohen shoqëritë e prosperuara të sotme, ku besimi, integriteti dhe zhvillimi i qëndrueshëm ushqehen përmes qeverisjes së mirë”, shtoi ajo.

Në fjalimin e saj, ministrja Shukova tregoi sfidat mjedisore me të cilat po përballet rajoni dhe ndikimin e tyre në burimet ujore, rendimentet bujqësore, humbjen e biodiversitetit dhe integritetin e ekosistemeve, por gjithashtu theksoi se tani është momenti i duhur që qeveritë të ndryshojnë qasjen dhe vendosjen e vendeve të tyre në trajektore të qëndrueshme që i japin përparësi mundësive ekonomike, reduktimit të varfërisë dhe shëndetit planetar dhe mundësojnë prosperitet afatgjatë ekonomik, social dhe mjedisor.

“OSBE-ja ka një rol në rritjen e ndërgjegjësimit për rreziqet e mundshme që lidhen me sigurinë klimatike, në ndërtimin e kapaciteteve, vlerësimin dhe adresimin e këtyre rreziqeve në mënyrë pjesëmarrëse dhe duke përfshirë të gjithë aktorët përkatës. Kjo jo vetëm për shkak të qasjes gjithëpërfshirëse ndaj sigurisë, por edhe për shkak se nevojitet një kornizë e gjerë rajonale për të luajtur rolin e duhur në një qasje të tillë rajonale”, theksoi Shukova.

Sesioni hyrës, si dhe tre sesionet tematike, janë fokusuar në temat kryesore që lidhen me antikorrupsionin, ndërlidhjen, sigurinë energjetike dhe ndryshimet klimatike, të cilat janë tema qendrore për mandatin e OSBE-së në Dimensionin e Dytë dhe përfaqësojnë prioritetet e presidencës së vendit tonë në vitin 2023. Presidenca dëshiron të shfrytëzojë mundësinë e ofruar nga kjo konferencë për të vazhduar dialogun e gjatë politik mbi çështjet ekonomike dhe mjedisore që lidhen me sigurinë që në mënyrë tradicionale zhvillohet në kuadër të Forumit Ekonomik dhe Mjedisor (EEF).

Lexo gjithashtu
Total
0
Share