“I kam kërkuar Kurtit për t’u takuar në një format më të ngushtë”
Kryeministri Edi Rama ka bërë me dije se i ka kërkuar kryeministri të Kosovës, Albin Kurti ndryshim të formatit të takimit të ditës së nesërme mes dy qeverive në Gjakovë.
Duke lënë në pikëpyetje fatin e takimit mes dy qeverive, në do të zhvillohet apo jo, kryeministri Rama shprehet se nuk ka pasur dakordësi mes tij dhe Kurtit mbi kërkesën e tij.
“Ky takim nuk mund të mbahet në formatin e parashikuar dhe pasi kam folur pasdite me shefin e diplomacisë evropiane, Borrell i kam kërkuar Albinit për t’u takuar nesër në Gjakovë në një format më të ngushtë për të disutuar për këtë situatë, e cila po e çan në mënyrë dramatike Kosovën me Bashkësinë Euroatlantike në një pikë të paimagjinueshme, ku kjo e fundit ka vënë gishtin në butonin që do të vërë në lëvizjen planin e sanksioneve. Për fat të keq, më duhet të them se nuk kemi pasur dakordësi me Kurtin për një ndryshim të formatit, ai ka kërkuar që mbledhja të bëhet normalisht dhe pastaj veç të diskutojmë dhe për këtë, por kjo nuk është e mundur sepse nuk është një moment për të krijuar një pasqyrë të rreme të asaj që në fakt ndodh në realitetin e Kosovës. Të mund të takohemi për të ballafaqur opinionet në kushtet kur e përsëris jemi në prag të vënies në lëvizje të planit të masave shtrënguese ndaj një shteti që është krijuar nga ata të cilët qartësisht janë në kushtet e sosjes së durimit. Kam bërë një përpjekje për të ju kërkuar dhe pak kohë, e kam marrë edhe pak kohë, por nëse nuk e shfrytëzojmë këtë kohë për një sens të përbashkët mes të gjithëve, kam shumë frikë se plani që është një plan realisht shumë i rëndë për Kosovën, do të vihet në lëvizje.” – theksoi Rama.