5 fëmijët nga dy martesa pritet të fillojnë pretendimet mbi aksionet në disa kompani
Bizneset e Silvio Berlusconi pritet të kenë udhëheqës të rinj. Ish-Kryeministri kurrë nuk tregoi publikisht sa ishte gjallë se kush duhet të udhëheqë perandorinë e tij.
Ndarja e pasurisë së tij prej gati 4 miliardë euro, raportojnë mediat italiane, ka të ngjarë të varet nga mënyra se si ai ka zgjedhur të shpërndajë 61% të aksioneve që zotëronte në kompaninë “Fininvest”, midis pesë fëmijëve të tij nga dy martesa. Aksionet e kompanisë “Fininvest” ranë me 2%, pasi investitorët prisnin ndryshime të shpejta në pronësinë e saj, pas vdekjes së Berlusconit. Marina dhe Pier Silvio mbajnë secili 7.7% të aksioneve në “Fininvest”, ndërsa tre fëmijët e Berlusconit nga martesa e tij e dytë zotërojnë së bashku 21.4% të aksioneve.
Një rol vendimtar pritet të luajë vajza e tij e madhe Marina. Ajo dhe Pier Silvio kanë qenë të përfshirë drejtpërdrejt në drejtimin e kompanive të Berlusconit menjëherë pasi babai i tyre hyri në politikë në fillim të viteve 1990.
Vajza e madhe e cila drejton “Fininvest”, ka menaxhuar edhe shtëpinë botuese “Mondadori” ndërsa Pier Silvio ka qenë në krye të televizionit “Mediaset”.
Barbara, Eleonora dhe Luigi, fëmijët që Berlusconi pati me gruan e tij të dytë, nuk kanë pasur ndonjë rol ekzekutiv dhe nje profil të lartë në menaxhimin e bizneseve të babait të tyre. Mbetet e paqartë nëse nga kjo pasuri, cila është pjesa takuese e Marta Fashina, bashkëshortja e tretë me të cilën lidhi martesë vitin e kaluar.
Pasuritë e paluajtshme të ish-Kryeministrit italian arrijnë vlera marramendëse. Vetëm rezidencat e tij kapin vlerën 100-150 milionë euro, nga vila e Arcore në atë të Macherio, shtëpitë e pushimit në Porto Rotondo si dhe në Kanë, kanë një vlerë prej 500 milionë eurosh.
Klan News