Shqiptarët do të jenë faktorë në qeverinë e re të Malit të Zi. Këtë e konstaton deputeti i sapozgjedhur në Kuvendin malazez, Nikollë Lamaj nga Forumi Shqiptar. Sipas tij, atyre do t’iu ofrohet të ulen në tryezën e bisedimeve për formimin e qeverisë së re, ndërsa nëse do t’iu ofrohet diçka pozitive në aspektin kombëtar për shqiptarët, patjetër se do të duhej të jenë pjesë e shumicës së re, përcjell KlanM.
“Jemi definitivisht të bindur se cilido që do të jetë mandatari dhe cilido të jetë programi i tij, do të na ofrohet meqënëse është dëshmuar edhe në mandatin e kaluar kur ishin më pak shqiptarë se definitivisht pa pakica nuk ka qeveri stabile, se pakicat ishin faktorë stabiliteti në Mal të Zi në të gjitha kohërat. Në vitin 97 u ndërrua kursi politik, nga ai i Millosheviqit”, theksoi Lamaj.
Deputeti Nikollë Lamaj u shpreh se shqiptarët në Malin e Zi e kanë dëshmuar veten edhe në kohën e referendumit për pavarësinë e vendit, njejtë edhe me anëtarësimin në NATO, prandaj sipaa tij, shqiptarët e kanë vendin e tyre në qeverinë e Malit të Zi.
Megjithatë, ai theksoi se partitë shqiptare duhet të vendosin nëse duan ta ngrejnë më lartë interesin e tyre në kuadër të qeverisë së re, duke krijuar edhe një platformë të përbashkët./KlanMacedonia