Kemi thirrur këtë konferencë për shtyp në lidhje me zhvillimet që pasuan takimin midis kryeministrit Dimitar Kovaçevski dhe kryetarit të VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, sepse këmbimet midis dy partive më të mëdha maqedonase me oferta dhe kundëroferta për votimin e ndryshimeve kushtetuese, prekin drejtpërdrejt edhe interesin e shqiptarëve deklaroi sot lideri i ASH-së Arben Taravari.
Sipas tij Aleanca për Shqiptarët po analizon me kujdes situatën e krijuar dhe deri në fund të javës do të mbajmë mbledhje të Kryesisë së partisë, nga ku do të dalim me qëndrim të dakorduar brenda organeve partiake.
Tani për tani, dua të përçoj tre mesazhe.
E para, edhe pse kushtet e tyre janë konfuze dhe jashtë realitetit, ne përshëndesim gatishmërinë e re të VMRO-DPMNE-së për të votuar ndryshimet kushtetuese. Siç e dimë të gjithë, korniza jonë negociuese e miratuar nga 27 vendet anëtare të BE-së, kushtëzon në mënyrë eksplicite hapjen e negociatave me përmbylljen e ndryshime kushtetuese. Pra, njëherë përmbyllja e ndryshimeve kushtetuese, e më pas hapja e negociatave. Andaj, vlerësoj se kushti i opozitës maqedonase për ndryshime kushtetuese suspensive është thjesht i parealizueshëm, sepse ai bie ndesh me kornizën negociuese të BE-së. Ndryshimet kushtetuese duhet të hyjnë në fuqi më së voni deri në momentin e mbajtjes së Konferencës së dytë ndërqeveritare.
E dyta, sa i përket kushtit të VMRO-DPMNE-së për daljen e partive shqiptare nga qeveria, dua të theksoj se neve na intereson përmbyllja e procesit evropian dhe perspektiva e qytetarëve, e jo llogaritë elektoraliste. Aleanca për Shqiptarët vendosi të hynte në qeveri për hir të procesit, por do të adaptohet varësisht nga rrethanat e reja, qoftë në qeveri apo jashtë saj. Për ne, vetëm përmbyllja e procesit është e rëndësishme dhe do të japim kontributin tonë, pa kushtëzime dhe pa shantazhime.
Dhe e treta, ne si Aleancë për Shqiptarët do të vazhdojmë të shtyjmë përpara kërkesën tonë për heqjen e 20 përqindëshit që mohon identitetin shqiptar dhe futjen e gjuhës shqipe në Kushtetutën e vendit. Vlerësoj dhe besoj se tash është momenti që të bëjmë edhe këtë ndryshim!