Moti i nxehtë, gjermanët dynden në parqe dhe plazhe

Meteorologët: Temperaturat e larta mund të shkaktojnë thatësirë ekstreme dhe zjarre në shumë rajone

Parqet dhe plazhet e Berlinit janë tejmbushur me njerëz teksa temperaturat në këtë fillim Qershori arritën në mbi 30 gradë Celsius.

Fëmijët dhe të rriturit shijuan rrezet e diellit ndërsa shfrytëzuan gjithashtu edhe hapësirat për të luajtur sporte të ndryshme.

Në Wannsee, një plazh i bukur buzë liqenit të Berlinit, njerëzit po shijonin ditët e para të nxehta të verës.

“Ndihem mirë, dielli po shkëlqen. Jam duke luajtur ping-pong me miqtë duke shijuar kohën”.

Shërbimi gjerman i motit pret që temperaturat të mbeten shumë të larta gjatë gjithë verës dhe ka paralajmëruar për një thatësirë ​​ekstreme.

“Njerëzit janë të gjithë jashtë dhe lokalet e tejmbushura. Por ajri është shumë i thatë. Është vështirë që të gjesh pak hije sepse edhe pemët janë tharë. Ky mot nuk është aspak i mirë”.

Nga Qershori në Gusht do të jetë përsëri shumë ngrohtë, bëri të ditur zëdhënësi i Shërbimit Gjerman të Motit në Offenbach, Andreas Friedrich.

“Po, është verë e nxehtë në Gjermani. Kemi pasur ditët e para vërtet të nxehta dhe tani me temperatura mbi 30 gradë. Presim temperatura edhe më të larta sidomos në perëndim përgjatë Rinit. Sigurisht që do të vazhdojë të jetë shumë  thatë në shumë rajone. Kjo do të thotë se ka rrezik të lartë për zjarre në pyje”.

Ekspertët shprehen se temperaturat e larta mund të kenë gjithashtu ndikim në shëndet. Moti gjithashtu përbën një problem për ata që vuajnë nga alergjia ndaj polenit.

“Ajo që është e pazakontë është thatësia veçanërisht në disa rajone të Gjermanisë. Ne kemi pasur shumë pak shi në Gjermaninë lindore, veçanërisht në veri-lindje, gjatë gjithë Majit. Ky mot i thatë që kemi tani sigurisht që ka rreziqe të tjera për shumë njerëz. Pra, ata që vuajnë nga alergjitë duhet gjithashtu të përgatiten të tregojnë shumë kujdes”.

Rritja e temperaturave pritet gjithashtu të shkaktojë probleme edhe në bujqësi. Nivelet e lumenjve gjithashtu pritet të bien sërish duke shkaktuar probleme me transportin. Gjithashtu edhe Londra përjetoi ditën e saj më të nxehtë të vitit me temperatura mbi 30 gradë, duke bërë që autoritetet të lëshojnë një paralajmërim për njerëzit që evitojnë lëvizjet e panevojshme.

Në Hammersmith qytetarët përfituan nga moti i ngrohtë për të lundruar përgjatë Thames. Në Rutland Arms, londinezët mbushën lokalet dhe shijuan diellin teksa konsumonin një pije.

Klan News

Lexo gjithashtu
Total
0
Share