KFOR-i me mesazh para protestuesve serbë në Zveçan

Forcat e misionit të NATO-s në Kosovë, ka ditë që janë zhvendosur në pjesën veriore të vendit në tentim që të ruajnë sigurinë atje.

Më 29 maj madje pati edhe mbi 30 pjesëtarë të lënduar gjatë përleshjeve me protestuesit e dhunshëm serbë në Zveçan, raporton Klankosova.tv.

Por, ka disa ditë që situata atje është qetësuar dhe protestuesit serbë, që po kundërshtojnë vendosjen e kryetarëve shqiptarë nëpër objektet komunale, po dalin në numër gjithnjë e më pak.

E ushtarët e KFOR-it të shtunën kanë vendosur një mesazh para protestuesve në Zveçan.

“KFOR-i pësoi 90+ viktima në angazhimin tonë për të mbajtur një mjedis të sigurt për të gjitha komunitetet”, shkruan në mesazhin e KFOR-it të vendosur në një karrige para protestuesve në Zveçan, fotografi e cila po shpërndahet në rrjetet sociale.

Kërkesë e serbëve është largimi i forcave speciale të Policisë së Kosovës nga objektet komunale të tri komunave veriore – Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok.

Bashkësia ndërkombëtare është shprehur tejet e shqetësuar me zhvillimet në veri, duke kërkuar nga kryeministri Albin Kurti tërheqjen e forcave policore nga ndërtesat komunale si dhe caktimin e datës për zgjedhje të reja në komunat veriore.

Kryeministri Kurti ndërkaq ka thënë se është i gatshëm të organizojë zgjedhje të reja në veri, por së pari, sipas tij, duhet të largohen protestuesit e dhunshëm, për të cilët ka thënë se ose duhet të arrestohen ose të shkojnë në Serbi, dhe të garantohet një fushatë e drejtë zgjedhore. /KlanMacedonia

Lexo gjithashtu
Total
0
Share