Mesfushori optimist për grupin, sulmuesi Muçi beson te kualifikimi në Euro 2024
Dy futbollistët e Kombëtares, Qazim Laçi dhe Ernest Muçi, mendojnë se Shqipëria është gati për dy sfidat e vlefshme për kualifikueset e Euro 2024. Laçi mendon se përfaqësueses nuk i mungon asgjë, ndërsa fitoren ndaj Moldavisë e konsideron si detyrim.
“Ekipi ynë ka shumë eksperiencë dhe shumë lojtarë të rinj, që do të jenë e ardhmja e Kombëtares. Ekipi i ka të gjitha, nuk na mungon asgjë. Ne do të japim maksimumin në këto 7 ndeshje, që nga sfida me Moldavinë që është fillimi i një rruge të gjatë. Në mendimin tim, sot për sot nuk ka ekipe të dobëta dhe të forta. Të gjithë jemi njësoj. Kur luajmë në fushë, 11 lojtarë jemi ne, 11 lojtarë ka edhe skuadra tjetër. Ne jemi gati, kemi lojtarë me eksperiencë nga të gjitha kampionatet më të mira në botë. Dhe do të bëjmë maksimumin tonë. E kemi për detyrim, sidomos në ndeshjen e parë në shtëpinë tonë, që ta fitojmë patjetër”, tha Laçi.
Sulmuesi Muçi ndihet krenar që trajneri Silvinjo e ka grumbulluar për dy sfidat e radhës të përfaqësueses. 22-vjeçari beson se kuqezinjtë mund të sigurojnë kualifikimin për në Euro 2024.
“Ëndrra jonë dhe qëllimi jonë është të marrim pjesë në Europian. Ndeshja me Moldavinë është ajo ku duhet të fokusohemi, e para, e luajmë në shtëpinë tonë. Duhet të marrim pikët maksimale. Grupi është shumë i mirë, besoj se do japim maksimumin dhe duhet të besojmë deri në fund për këtë ëndërr që e kemi të gjithë bashkë, që të marrim pjesë në Europian. Ia dolëm një herë dhe besoj se e kemi kualitetin dhe mundësinë t’ia dalim përsëri. Do besojmë deri në fund”.
Muçi e konsideron si diçka të mirë konkurrencën, ndërsa primare për të është që Kombëtarja të fitojë. Shqipëria luan më 17 Qershor ndaj Moldavisë në “Air Albania” e tri ditë më pas në transfertë kundër Ishujve Faroe.
Tv Klan