Shpërthimi i digës në Ukrainë, 7 të zhdukur. 42 mijë persona në rrezik

Uji përmbyt mijëra shtëpi, vijon evakuimi

Më shumë se 42 mijë persona janë në rrezik nga përmbytjet, pasi një digë e madhe në Kherson, në jug të Ukrainës, u dëmtua rëndë mëngjesin e së martës. Ndërkohë që autoritetet ruse të cilat kontrollojnë një pjesë të zonës së pushtuar nga uji raportojnë për 7 persona të zhdukur.

Mijëra njerëz të tjerë u evakuuan nga vendbanimet e tyre përgjatë rrjedhës së lumit Dnipro të Ukrainës. Pas hedhjes në erë të një dige të madhe në qytetin Nova Kakhovka dëmet kanë qenë katastrofike për banorët, të cilët janë detyruar të lënë gjithçka.

Rrjedha e ujit në disa zona ka marrë edhe disa shtëpi përpara, ndërsa në shumë zona të tjera niveli i ujit ka arritur në mbi 1 metër. Dëmet parashikohen të jenë edhe më afatgjata, pasi liqeni shërbente jo vetëm për të prodhuar energji, por edhe për të ujitur dhe për të siguruar ftohjen e centralit bërthamor të Zaporizhias.

Presidenti, Volodymyr Zelenskiy tha të mërkurën se shkatërrimi i digës në jug të Ukrainës kishte lënë qindra mijëra njerëz pa qasje normale në ujë të pijshëm.

Kievi dhe Moska kanë akuzuar njëra-tjetrën për hedhjen në erë të digës, por pretendimet e palëve ndërluftuese nuk janë verifikuar.

Tv Klan

Lexo gjithashtu
Total
0
Share