Kosova rrezikon sanksione për shkak të Kurtit

Burimet diplomatike: Nëse nuk bashkëpunon, “non grata”, bllokim fondesh dhe liberalizim vizash

Mosbashkëpunimi i Albin Kurtit me faktorin ndërkombëtar për uljen e tensioneve po rrezikon Kosovën të përballet me sanksione të rënda. Burimet diplomatike bëjnë me dije se kreut të qeverisë i është lënë afat për 3 kërkesat e dorëzuara në zyrë nga Lajçak dhe Escobar, deri ditën e premte, që të japë përgjigje pozitive ndryshe sanksionet do të jenë të rrepta.

Sipas burimeve diplomatike, sanksionet pritet të jenë të ndara në 2 faza dhe prekin Albin Kurtin personalisht dhe në fazën e dytë shtetin e Kosovës. Sjellja e Kurtit ka zemëruar ndërkombëtarët dhe nuk përjashtohet as shpallja e tij dhe ministrit të Brendshëm “non grata”.

Masa të tjera parashikohen edhe kthim i Veriut në para-gjendjen e vitit 2004 ku KFOR merr kontrollin e plotë, pasivitet ndaj fushatës së Serbisë për çnjohje dhe përjashtim i Kosovës nga ndonjë organizatë ndërkombëtare ku është e anëtarësuar.

I dërguari amerikan për Ballkanin nuk e ka fshehur ngërçin në diskutime me kryeministrin Kurti, i cili duhet të pranojë të shpallë zgjedhjet e reja, reduktimin e policisë në Veri dhe dorëzimin e draftit të statutit për Asociacionin dhe kthimin në dialog.

Perëndimi është i vendosur që në Kosovë të mos ketë një krize pasi përfituese e kësaj situate të brishte do të ishte direkt Rusia. Burimet diplomatike theksojnë edhe humbjen e durimit të ndërkombëtareve me Kosovën pasi pritshmëritë për ngërç në negociata ishin për Serbinë, fakt ky që i gjeti të papërgatitur lehtësuesit e dialogut.

Kosova për shkak të kokfortësisë së Kurtit, theksojnë burimet diplomatike, rrezikon bllokimin e fondeve nga BE dhe SHBA, procesin e liberalizmit të vizave dhe bllokimin e aplikimit për në Këshillin e Europës. Por pjesë e këtij zemërimi ndërkombëtar është edhe opozita e cila nuk është pozicionuar qartë për çështjet e veriu të Kosovës.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share