Sot, BDI ka festuar 21 vjetorin e themelimit si subjekt politik. Kryetari i kësaj partie, Ali Ahmeti në fjalën e tij përmendi të arriturat, që sipas tij, mbajnë vulën e BDI-së, përcjell KlanM.
Ne, bashkërisht arritëm të ndryshojmë statusin juridik e politik të shqiptarëve nga të shtypur, margjinalizuar në zot të shtëpisë së vet dhe dalëzotës i të gjitha vlerave kombëtare duke filluar nga zyrtarizimi i flamurit kombëtar, gjuha shqipe, përfaqësimi në administratë në gjitha nivelet duke i bërë vërtetë zot në shtëpi të vet shqiptarët në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
“Kemi mbyllur kapituj historik, kemi bërë historinë më të re të këtij vendi, nuk ka histori të këtij vendi pa qenë pjesë e historisë së ndryshimit të madh UÇK dhe BDI si një organizatë që mblodhi rreth vetes idealistë, misionarë, dijetarë dhe liridashës e paqebërës, prandaj 21 vite me radhë ne nuk kemi pësuar asnjë humbje, por në çdo betejë kemi dalë fitimtarë dhe më të suksesshëm e krenarë”, ka theksuar Ahmeti.
Ahmeti ka ripërsëritur qëndrimin e tij të muajve të fundit, për krijimin e një fronti europian, duke ftuar të gjitha partië shqiptare rreth tij.
“Nuk ngelëm me kaq, por idenë e diskutuam dhe me parti tjera, dyert janë të hapura për të gjitha partitë politike si ato në pozitë edhe ata në opozitë, Fronti për Europë nuk ka ngjyrë, por brenda këtij fronti ka ardhmëri dhe shërbim më të madh të qytetarëve dhe në veçanti për ne si BDI nuk mund të bëjmë më shumë se sa anëtarësimi në BE dhe ky do ishte suksesi historik për vendin dhe për BDI, si një front që për 20 vite me radhë, asnjëherë nuk ka devijuar nga platformat e veta drejt qëllimeve përfundimtare”, tha Ahmeti./KlanMacedonia