Kurti publikon emrat e “kriminelëve” të veriut

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në seancën e veçantë në Kuvend, e thirrur për të diskutuar për situatën në veri, ka përmendur emrat e personave për të cilët thotë se janë pjesë e grupeve kriminale serbe në veri.

Ai filloi me Millorad Jevtiq, për të cilin Kurti tha se është njëri nga drejtuesit e, siç u shpreh ai, këtij formacioni ilegal.

“Millorad Jevtiq është njëri nga drejtuesit e këtij formacioni ilegal, shtëpia e tij në Zveçan është shndërruar në bazë qëndrimi të drejtuesve të kësaj strukture ilegale. Gjithashtu ka prezencë të madhe të përfaqësuesve të Listës Serbe në atë shtëpi, ata janë duke punuar në mobilizimin e strukturave atje, për prezencë sa më të madhe para objekteve komunale dhe duke orkestruar sulme të ardhshme”

“Niçko Jevtiq, pjesëtarë i formacionit ilegal, të ashtuquajtur “Mbrojtje Civile” në Zveçan, bashkë me të, Rajko Jevtiq, ish-këshilltar i Listës Serbe në Zveçan dhe ish-drejtor në komunën e Zveçanit, babai i Miçko Jevtiq. Danillo Josifoviq, i njohur me nofkën “Përki”, gjithashtu pjesëtar i formacionit ilegal, “Mbrojtje Civile”. Liliana Aksintieviq, zëvendësuesese e kryetarit të ashtuquajtur “Organ i Përkohshëm” në Zveçan, ka urdhëruar të gjithë punëtorët e komunës ilegale të Zveçanit që në 06:30 të dalin para komunës”, tha Kurti.

Ai përmendi emrat edhe të personave që tha se po shihen të maskuar nëpër video e fotografi, përcjell Klankosova.tv.

“Persona që po i shohim të maskuar në video e nëpër fotografi, janë të udhëhequr nga ish-kapiteni i Policisë së Kosovës, Aleksandër Filipoviq, që shtirej se është integruar në shtetin tonë, ky është personi kryesor që po i drejton ata, më 29 maj të këtij viti, ka rrahur një qytetar serb në Leposaviq, pasi që ai ka qenë duke incizuar me telefon. Personat e maskuar që ishin pjesë e protestës së dhunshme në Zveçan janë: Nikolla Agjiq, ka hedhur koktej molotovi në Zveçan dhe është pjesëtar i organizatës kriminale serbe “Severna Brigada”, Millan Zhivkoviq, po ashtu pjesëtar i të njëjtës organizatë, Danillo Krivokapiq, Jovica Llazoviq, Nikolla Radimiroviq, vëllezërit Stefan dhe Dejan Nedelkoviq”.

“Kjo organizatë kriminale, në rrjetet sociale ka postuar lajm që pjesëtarë të grupit merecenarë rus “Wagner”, kanë arritur në Kosovë. Poashtu i njohur me lidhjet e këtij me këtë grup është edhe Damjan Knezheviq, i cili e drejton organizatën djathtiste “Patrollat e Popullit”. Edhe ky ka paralajmëruar ardhjen e një grupi prej 50 personave nga Serbia në Kosovë. Damjan Knezheviq dhe organizata e tij organizuan protestën e 18 dhjetorit të vitit të kaluar në afërsi të pikës kufitare në Jarinjë, me ç’rast u identifikuan një numër i konsiderueshëm personash me simbole ekstremiste ruso-serbe. Është mirë që edhe vendorët edhe ndërkombëtarët t’i dinë këta emra, se nuk i ka sulmuar populli serb, i kanë sulmuar milicia fashiste”, tha ai.

Kurti theksoi edhe disa emra, për të cilët ai tha se kanë lidhje me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq.

“Vladimir Radivojeviq i cili ka njohje të drejtpërdrejt me presidentin Vuçiq, Daniel Gjukiq, bashkë me një grup personash kanë gjuajtur shok-bomba, këta janë pjesë e grupit të Millan Radojçiqit, të njohur për ndikim dhe veprimtari kriminale. Millosh Gjukiq, vëllai i Danielit, këta dy vëllezër kanë raporte shoqërore me djalin e presidentit Vuçiq. Millan Jugosllav Tomiq, i lindur në Obiliq, e me banim në komunën veriore të Mitrovicës, ka marrë pjesë në shpimin e gomave të autoblindave të Policisë së Kosovës. Millan Joviq, pjesëtar i formacionit ilegal të quajtur “Mbrojtja Civile”, me 31 mars, bashkë me një grup ka shkuar për trajnim në përdorimin e armës në Rashkë të Serbisë. Më tej Peter Millosheviq, Dejan Jevtiq, Nikola Baldini, Millan Zhivkoviq, Vuk Brankoviq, Lluka Vllaskoviq, Bozhidar Todoroviq dhe Radisha Denoviq”

“Fotografia që mori vëmendjen e rrjeteve sociale ishte ajo e Daniel Shmigiqit, i cili ka qenë e mbase edhe tash është shofer e truproje i nënkryetarit të Listës Serbe, Igor Simiq. Daniel Shmigiq ka ushtruar sulme ndaj ushtarëve të KFOR-it”, tha ai.

Tutje, Kurti foli edhe për të arrestuarit pas lëndimit të ushtarëve të KFOR-it.

“Pas eskalimit të situatës dhe lëndimit të dhjetëra ushtarëve të KFOR-it janë arrestuar Nebojsha Elezoviq, i cili e ka shoqëruar Goran Rakiqin gjatë udhëtimit të tij në Beograd, me datë 23 mars 2022 për të marrë pjesë në Mbledhjen e Këshillit të Sigurisë të Serbisë. Radosh Mitroviq dhe Zhivojko Miljentijeviq këta janë arrestuar”.

“Më 31 maj, në orët e hershme të mëngjesit policia e Kosovës ka arrestuar dy shtetas serb, Ivan Sekuliq dhe Sinisha Jevtiq, ata kanë poseduar materiale të dyshimta, përfshirë maska kamufllazhi, emblema me simbole nacionaliste, kartelë të Veteranëve të Luftës dhe Akademisë për Siguri të Serbisë, shufër metalike, disa thika, substanca narkotike, sprej të ndryshëm, sfera metalike dhe një çekan”, u shpreh tutje ai./Klankosova.tv

Lexo gjithashtu
Total
0
Share