“Rama, peng i shpifur në duart e Vuçiçit”
Për Sali Berishën tensionet në veri të Kosovës janë degradim i paralajmëruar dhe situata është më kritikja që prej konfliktit të armatosur në vitin 1998.
“Plumbat e bandave serbe në jelekët e KFOR-it dëshmojnë se situata është më dramatike dhe kritike si kurrë më parë që nga lufta. Shënon një degradim të paralajmëruar të gjendjes, për ata që e kanë të qartë se nacionalizmi serb në qenien e tij ka Serbinë e madhe si projekt.”
Në shënjestër të akuzave vuri edhe Kryeministrin Rama, teksa u pyet për deklaratën e kreut të qeverisë dhe takimin që zhvilloi në Moldavi me Presidentin serb Aleksandër Vuçiç.
“Rama ka qenë një ndihmës i shpifur i Vuçiç në këto vite, dhe ka futur thika pas shpine Kosovës në çdo moment. Mos harroni fjalët e tij, kur të fillojë lufta do më kërkoni mua që të ndërmjetësoj te Vuçiç. është peng i shpifur në duart e Vuçiçit.”
Me Albin Kurtin nuk ndan shumë ide, por qëndrimin e kryeministrit të Kosovës e sheh në zbatim të ligjeve të vendit të tij.
“Kanë të bëjnë me të drejtën e tij për të vendosur rendin dhe sigurinë në territorin e Kosovës.”
Tregohet i rezervuar lidhur me qëndrimin e ndërkombëtarëve dhe shprehet skeptik për vendosjen e paqes nga ana e Presidentit serb.
“Sanksionet lexohen si inkurajim nga nacionalisti Vuçiç dhe unë jam skeptik se mund të ndikojnë pozitivisht në paqen në rajon”, tha Berisha.
Tv Klan