Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është takuar me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, teksa të dy po marrin pjesë në samitin e Komunitetit Politik Evropian në Moldavi.
Duke publikuar dy fotografi nga takimi mes tyre në Twitter, Osmani tha se i shprehi solidaritet të plotë presidentit të Ukrainës, vendi i të cilit është në luftë me Rusinë që kur kjo e fundit e nisi pushtimin e paprovokuar në shkurt të vitit të kaluar.
“Askush nuk e kupton dhimbjen, luftën dhe qëndrueshmërinë e Ukrainës më mirë se populli i Kosovës. Asgjë nuk mund ta pengojë vullnetin e një populli për të qenë i lirë”, shkroi Osmani.
Osmani po e përfaqëson Kosovën në këtë samit në Kishinau të Moldavisë, ku udhëheqësit e 27 vendeve të Bashkimit Evropian dhe të 20 vendeve të tjera evropiane janë mbledhur sot, për të diskutuar për një varg çështjesh, mes tyre edhe tensionet në veri të Kosovës.
Edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç ndodhet në Kishinau për këtë samit. Të dy presidentët, sapo arritën në këtë eveniment, akuzuan institucionet e shteteve përkatëse për tensionet e shkaktuara në veri të Kosovës.
Osmani tha se Serbia duhet të ndalojë aktivitetet e saj që synojnë destabilizimin e Kosovës për t’i dhënë fund dhunës në veri të vendit, ndërsa Vuçiç tha se për t’u ulur këto tensione, autoritetet e Kosovës duhet t’i tërheqin, siç i quajti ai, “kryetarët e supozuar” nga komunat me shumicë serbe në veri./REL