E ndërsa në komunat veriore serbët lokalë kanë dalë të protestojnë, e njëjta gjë ndodh edhe në jug të Mitrovicës. Një grup qytetarësh shqiptarë janë mbledhur në Mitrovicën e Jugut.
Ata janë mbledhur pavarësisht kërkesës së Policisë së Kosovës që të mos i përgjigjen thirrjes së postuar në mediat sociale për “protestë dhe marshim drejt veriut”.
Nga mediat në Kosovë raportohet për dhjetëra tubues. REL thotë se mes tyre ka edhe qytetarë nga Shqipëria. Disa prej protestuesve thanë se kanë dalë në “mbështetje të Policisë së Kosovës”.
Në vendin e ngjarjes ka forca të policisë. Këta të fundit njoftuan më herët që qytetarët të mos i bashkohen një proteste të tillë pasi thirrja nga mediat sociale vjen nga profile të dyshimta të cilat mund të kenë një qëllim të keq.
Edhe ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, tha se thirrjet e tilla “nuk i ndihmojnë” Kosovës./tvklan.al