Serbët vazhdojnë protestat në veri të Kosovës, KFOR në ruajtje të godinave të komunave

-Serbët në veri të Kosovës vijojnë sot ditën e tretë të protestave. Ata kundërshtojnë kryetarët shqiptarë të dalë nga zgjedhjet e jashtëzakonshme të 23 Prillit.

-KFOR ka marrë në ruajtje godinat e komunave të veriut të Kosovës. Aty ka prezencë edhe të forcave të Policisë së Kosovës. Përreth ndërtesave këtë të mërkurë është vendosur një perimetër sigurie me tela me gjemba.

-Lista Serbe është shprehur se protestat do të vijojnë deri kur të përmbushen kërkesat e tyre. Pra të tërhiqen kryetarët shqiptarë dhe të largohen njësitë speciale të policisë së Kosovës.

-NATO-ja do të dërgojë 700 trupa shtesë në Kosovë. Po ashtu është vendosur një batalion tjetër në gjendje gatishmërie të lartë.

-Shtetet e Bashkuara dhe aleatët qortuan Kosovën për përshkallëzimin e tensioneve me Serbinë, duke thënë se përdorimi i forcës për të instaluar kryetarët në komunat me shumicë serbe, minoi përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve. Blinken i bëri thirrje Kurtit që të tërheqë forcat policore nga veriu, ndërsa Vuçiç të ulë nivelin e gatishmërisë së ushtrisë.

-Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka këmbëngulur se kryetarët e rinj shqiptarë, të dalë nga zgjedhjet e jashtëzakonshme të prillit, janë të vetmit që kanë legjitimitet të jenë në ndërtesat e komunave në veri. Po ashtu ai është shprehur i pakënaqur nga deklaratat e Blinken dhe ka shtuar se “një republikë demokratike, nuk mund t’i dorëzohet milicisë fashiste”.

-SHBA-ja, mbështetësja më e madhe e pavarësisë së Kosovës, vendosi të anulojë pjesëmarrjen e Kosovës në një stërvitje ushtarake të NATO-s, pasi Prishtina refuzoi t’i tërheqë kryetarët e komunave dhe forcat e saj policore nga veriu i vendit.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share