Si përgjigje ndaj trazirave të fundit në veri të Kosovës dhe plagosjes së 30 pjesëtarëve të misionit të NATO-s në Kosovë (KFOR), aleanca veri-atlantike ka marrë vendim për angazhim të Forcës Operacionale Rezervë për Ballkanin Perëndimor, e cila ka qenë në gjendje gatishmërie për angazhim. Lajmi u bë i ditur nga vetë NATO, me anë të një postimi në Twitter.
Të hënën (29 Maj) pati përplasje të forta mes protestuesve serbë dhe forcave të KFOR-it. Të paktën 30 ushtarë dhe dhjetëra protestues kanë mbetur të plagosur. Diplomatët perëndimorë kanë dënur dhunën në Zveçan dhe kanë kërkuar çtensionimin e situatës.
Tensionet në Veri të Kosovës vijojnë të jenë të larta që prej 26 Majit. Edhe pse për momentin situata paraqitet më e qetë, godinat komunale në Leposaviç, Zveçan dhe Zubin Potok janë siguruar nga forcat e KFOR-it dhe policisë së Kosovës. Aty është vendosur edhe një perimetër sigurie teksa forcat e KFOR janë në gatishmëri. I vetmi incident deri më tani është raportuar nga Leposaviçi ku janë sulmuar ekipet e mediave të Kosovës me vezë dhe gurë./tvklan.al