“Kosova është zemra e Serbisë”, guxon Djokoviç

Teksa situata në veri të Kosovës është tensionuar që pas 26 Majit, tenisti i njohur ndërkombëtar, Novak Djokoviç, i hedh më shumë benzinë zjarrit. Ai rrezikon të krijojë polemika të forta politike pasi të hënën në ‘French Open’ shkroi një mesazh rreth Kosovës.

“Kosova është zemra e Serbisë, ndal dhunës”, shkroi ai në lentet e kamerave në serbisht.

Kujtojmë që ditën e djeshme, teksa Djokoviç luante në Francë, rreth 30 ushtarë paqeruajtës të NATO-s u plagosën nga protestuesit serbë. Po ashtu të plagosur mbetën edhe dhjetëra tubues. Presidenti serb ka vendosur ushtrinë në nivelin më të lartë të gatishmërisë.

“Incidenti vjen një ditë pasi shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg i bëri thirrje Kosovës që të çtensionojë tensionet me Serbinë pas përplasjeve mes policisë kosovare dhe protestuesve të cilët kundërshtojnë kryetarët shqiptarë të marrin detyrën në zonat etnike serbe”, shkruan agjencia e lajmeve Reuters.

Sipas Presidentit Vuçiç rreth 52 serbë u plagosën të hënën, ku 3 prej tyre më rëndë. Presidentja e Kosovës akuzon homologun serb për destabilizim të Kosovës.

“Serbia dhe aleati i saj tradicional Rusia, nuk e njohin pavarësinë e Kosovës dhe Moska ka bllokuar kërkesën e Prishtinës zyrtare për t’u anëtarësuar në Kombet e Bashkuara. Serbia e konsideron ende Kosovën pjesë të territorit të saj”, shkruan Reuters.

“Kosova është djepi ynë, fortesa jonë, qendra e gjërave më të rëndësishme të vendit tonë. Ka shumë arsye pse e shkrova atë në kamera”, tha Djokoviç për mediat serbe.

Federata franceze e tenisit, e cila organizon eventin i tha Reuters se aktualisht nuk ka rregulla zyrtare për çfarë duhet të thonë apo jo lojtarët.

“Nuk do të bëjmë ndonjë deklaratë apo të mbajmë qëndrim për këtë çështje”, thanë ata.

Familja Djokoviç është e njohur për precedentë të tillë. Në Australia Open tenisti u detyrua të mbrojë të atin pas një video ku ai shfaqej me një flamur rus pavarësisht luftës në Ukrainë.

Kujtojmë që shpallja e pavarësisë së Kosovës është bërë më 17 Shkurt të vitit 2018. Në një mbledhje të jashtëzakonshme të Kuvendit, Kosova u shpall njëzëri shtet i pavarur, sovran dhe demokratik./tvklan.al

Lexo gjithashtu
Total
0
Share