Luftimet kanë vazhdar në dhe përreth qytetit lindor ukrainas të Bakhmutit, epiqendrën e luftës në Donjeck, përderisa Rusia po vazhdon të sulmojë këtë qytet dhe vendbanimet përreth me avionë, tha ushtria ukrainase më 27 maj.
Një raketë goditi gjatë natës një fshat në rajonin e Harkivit, tha guvernatori rajonal, Oleh Synyehubov, më 27 maj, duke shtuar se ky sulm shkaktoi dëme materiale, por nuk raportoi për viktima.
Luftimet më të ashpra po zhvillohen në vijën e frontit Liman-Bahmut-Avdijivka-Marjinka, në rajonin e Donjeckut, tha ushtria ukrainase, duke kundërshtuar edhe një herë pretendimin e Moskës se ka kapur Bakhmutin. Ky qytet ka qenë epiqendër e një beteje disamujore për kontrollin e rajonit të Donbasit.
Luftime po zhvillohen edhe përreth Kupjanskut, në rajonin e Kharkivit, ku forcat ruse po tentojnë të konsolidojnë pozicionin e tyre taktik, tha ushtria e Kievit.
Trupat ruse po ashtu kanë kryer disa sulme ajrore në Avdijivka, Bilohorivka dhe Vuhedar.
Luftimet e fundit vijnë pasi dy persona u vranë dhe dhjetëra të tjerë u plagosën gjatë një serie sulmesh ruse me raketa dhe dronë në disa rajone ukrainase, përfshirë edhe në kryeqytet, Kiev, më 26 maj.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se dy fëmijë u vranë dhe 25 persona u plagosën, në një spital në Dnipro. Ai tha se ky sulm rus “është edhe një krim tjetër kundër njerëzimit”.
Kjo ishte hera e trembëdhjetë brenda këtij muaji që forcat ruse sulmuan me raketa dhe dronë kryeqytetin ukrainas, Kiev.
Ndërkaq, guvernatori i rajonit rus të Belgorodit, që gjendet në kufi me Ukrainën, pretendoi se ushtria ukrainase qëndron prapa dhjetëra sulmeve me artileri dhe dronë përtej zonës kufitare. Megjithatë, autoritetet ruse nuk raportuan për viktima./REL