Rusia ka vendosur të shtyjë përpara planin e saj për të zhvendosur armë bërthamore taktike në Bjellorusi, konfirmoi lideri bjellorus, i cili deklaroi se kokat e raketave bërthamore ishin tashmë rrugës.
Kjo shënon vendosjen e parë të Kremlinit të bombave të tilla bërthamore përtej kufijve të Rusisë që nga shpërbërja e Bashkimit Sovjetik në vitin 1991.
Departamenti amerikan i Shtetit dënoi planin, por tha se Uashingtoni nuk kishte ndërmend të ndryshonte pozicionin e tij për armët bërthamore strategjike ose nuk kishte parë ndonjë shenjë se Rusia po përgatitej të përdorte një armë bërthamore.
Por, presidenti rus Vladimir Putin thotë se Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj po zgjerojnë luftën kundër Rusisë që kur Kremlini dërgoi trupat e tij në Ukrainë 15 muaj më parë.
Plani për zhvendosjen bërthamore u njoftua nga Putini në një intervistë me televizionin shtetëror më 25 mars.
“Perëndimi kolektivisht, në thelb, po bën një luftë të padeklaruar kundër vendeve tona”, tha ministri i Mbrojtjes së Rusisë, Sergei Shoigu, në një takim me homologun e tij bjellorus në Minsk.
Perëndimi, tha Shoigu, po bën gjithçka që mundet “për të zgjatur dhe përshkallëzuar konfliktin e armatosur në Ukrainë”.
Presidenti i Bjellorusisë, Alexander Lukashenka tha se armët taktike bërthamore ishin tashmë në lëvizje në përputhje me një urdhër të nënshkruar nga Putini, megjithëse nuk kishte asnjë konfirmim për këtë nga vetë Kremlini.
“Lëvizja e armëve bërthamore ka filluar tashmë”, u tha Lukashenka gazetarëve në Moskë, ku po merrte pjesë në bisedime me liderë të tjerë të ish-shteteve sovjetike.
I pyetur nëse armët ishin tashmë në Bjellorusi, ai tha: “Ndoshta. Kur të kthehem do të kontrolloj”.
Ruajtja e armëve bërthamore
Shoigu konfirmoi se dokumentet që ai nënshkroi në Minsk kishin të bënin me procedurat për ruajtjen e armëve bërthamore taktike në Bjellorusi. Në Uashington, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Mattheë Miller i karakterizoi këto plane si “një shembull tjetër i sjelljes së papërgjegjshme të shfaqur nga Rusia që nga pushtimi i plotë i Ukrainës mbi një vit më parë”.
Miller përsëriti paralajmërimin nga Shtetet e Bashkuara se përdorimi i armëve kimike, biologjike ose bërthamore gjatë konfliktit do të rezultonte në “pasoja të rënda”, pa specifikuar natyrën e këtyre pasojave.
“Unë do të doja të theksoja se ne nuk kemi vërejtur ndonjë bazë që të na shtyjë të ndryshojmë qëndrimin tonë strategjik bërthamor ose ndonjë indikacion se Rusia po përgatitet të përdorë armë bërthamore”, u tha Miller gazetarëve.
Putin ka paralajmëruar vazhdimisht se Rusia, që zotëron arsenalin më të madh të armëve bërthamore në nivel global, do të përdorë të gjitha mjetet në dispozicion për të mbrojtur veten. Ai e ka portretizuar luftën në Ukrainë si një luftë për mbijetesën e Rusisë kundër një blloku agresiv perëndimor.
Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre pohojnë se objektivi i tyre është që Ukraina të zmbrapsë forcat ruse në fushëbetejë, duke hedhur poshtë çdo pretendim se dëshiron të shpërbëjë Rusinë. Ata kundërshtojnë gjithashtu nocionin se konflikti në Ukrainë është i lidhur në çfarëdo mënyre me zgjerimin e NATO-s pas epokës sovjetike.
Bjellorusia ndan kufijtë me tre vende anëtare të NATO-s: Poloninë, Lituaninë dhe Letoninë. Rusia do të mbajë kontrollin e armëve.
Çfarë janë këto armë?
Armët bërthamore taktike përdoren për përfitime taktike në fushëbetejë dhe zakonisht janë më të vogla në rendiment sesa armët bërthamore strategjike të dizajnuara për të shkatërruar qytete.
Rusia ka një epërsi të madhe numerike ndaj Shteteve të Bashkuara dhe aleancës ushtarake të NATO-s kur bëhet fjalë për armët taktike bërthamore: Shtetet e Bashkuara besojnë se Rusia ka rreth 2.000 koka të tilla taktike funksionale.
Shtetet e Bashkuara kanë rreth 200 armë bërthamore taktike, gjysma e të cilave janë në baza në Evropë.
Shoigu tha se raketat Iskander-M, të cilat mund të mbajnë koka bërthamore, u ishin dorëzuar forcave të armatosura të Bjellorusisë dhe disa avionë Su-25 ishin konvertuar për përdorim të mundshëm të armëve bërthamore.
“Ushtarët bjellorusë kanë marrë trajnimin e nevojshëm”, citohet të ketë thënë Shoigu.
Sipas Shteteve të Bashkuara, kërcënimi global nga armët bërthamore është aktualisht në nivelin më serioz që nga kriza e raketave në Kubë në 1962, për shkak të deklaratave të bëra nga Putin gjatë konfliktit në Ukrainë.
Megjithatë, Moska këmbëngul se qëndrimi i saj është keqinterpretuar.
Sipas Traktatit për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore, i cili u nënshkrua nga Bashkimi Sovjetik, transferimi i armëve bërthamore ose teknologjisë në një fuqi jobërthamore është i ndaluar.
Megjithatë, traktati e lejon vendosjen e këtyre armëve përtej kufijve të fuqisë bërthamore, për sa kohë që ato mbeten nën kontrollin e saj./REL