MELONI: DO TË AKTIVIZOJMË FONDIN E SOLIDARITETIT
Bashkimi Europian aktivizon Fondin e Solidaritetit për Italinë e goditur nga përmbytjet. Në një tur me helikopter presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen vizitoi zonat e përmbytura në rajonin e Emilia Romagna.
Një javë pas përmbytjeve katastrofike në Itali, presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen ka vizituar Cesenën dhe disa zona të tjera.
Gjatë një udhëtimi me helikopter në rajonin Emilia Romagna së bashku me kryeministren italiane Giorgia Meloni von der Leyen i premtoi Italisë mbështetjen për njerëzit e prekur nga përmbytjet.
“Është zemërthyese të shohësh këtë, të shohësh tokat nën ujë, të mbuluar nga uji. Është shumë e dhimbshme të shikosh rajonin e Emilia-Romagna sesi është shkatërruar.Pra, në thelb unë jam këtu për të dërguar një mesazh të qartë, dhe ai është Evropa është në anën tuaj”, tha Ursula von der Leyen.
Fondi parashikohet të jetë 6 miliardë euro të destinuara për të reduktuar rreziqet e përmbytjeve dhe rrëshqitjeve të dheut. Parashikohet gjithashtu edhe restaurimi i shtretërve të lumenjëve. Së bashku me presidentin e rajonit Stefano Bonaccini presidentja e KE vizitoi zonat më të prekura nga përmbytjet dhe takoi disa nga punonjësit e shpëtimit dhe banorët.
Qeveria italiane miratoi të martën më shumë se dy miliardë euro ndihmë për rajonin e goditur nga përmbytjet, duke përfshirë fermerët dhe pronarët e bizneseve në një nga rajonet më produktive të vendit. Gjithashtu po Meloni u shpreh se ndihma e miratuar përfshinte edhe pezullimin e pagesave të taksave, si dhe faturat e shërbimeve gjatë muajve të ardhshëm.
“Mendoj se ishte e rëndësishme që Von der Leyen e pa me sytë e saj problemet e shumëanshme. Në javët në vijim, kur të kemi arritur të bëjmë një vlerësim të përgjithshëm të dëmeve të shkaktuara nga përmbytjet, do të bëjmë edhe një aplikim për aktivizimin e Fondit të Solidaritetit, i cili ofrohet për emergjencat dhe fatkeqësitë natyrore”, tha Giorgia Meloni.
Sektorë të tjerë, si ai bujqësor, i njohur për prodhimin e frutave, mjaltit, grurit, mishit të derrit dhe shpendëve kanë pësuar humbje të konsiderueshme. Gjithashtu midis zonave të dëmtuara rëndë ishin shumë vendpushime plazhi përgjatë detit Adriatik, një zonë bregdetare shumë e njohur për turistët nga Italia dhe Evropa veriore.
Përgatiti: Livia Kallfa