Kur Mona përjetoi kontraktimet e lindjes, një deve u shndërrua në shpëtimtaren e saj.
19-vjeçarja priste që udhëtimi prej 40 km nga shtëpia e saj në majë të maleve shkëmbore për në spital do të zgjaste rreth 4 orë. Por nga mungesa e rrugëve, në mes të dhimbjeve të lindjes dhe motit të keq, zgjati 7 orë.
“Me çdo hap që deveja hidhte përpara, unë çahesha në dysh”, tha ajo për “BBC”.
Kur deveja nuk mund të shkonte më tej, Mona zbriti dhe përshkoi pjesën e mbetur të rrugës më këmbë, e shoqëruar nga bashkëshorti i saj.
Në provincën në veriperëndim të Jemenit, Mahweet, spitali Bani Saad është i vetmi institucion shëndetësor për mijëra gra. Nga fshati i Mona, në spital mund të mbërrihet vetëm përmes maleve të rrezikshme, mbi deve ose në këmbë.
Ndërsa mbahej pas devesë, Mona kishte frikë për sigurinë e saj dhe të fëmijës ende të palindur. “Rruga ishte me shkëmbinj”, thotë ajo për udhëtimin “fizikisht dhe mendërisht rraskapitës”. “Kishte momente që i lutesha Zotit të më merrte dhe të mbronte fëmijën tim që të mund t’i shpëtoja dhimbjes”.
Mona nuk mban mend si mbërriti në spital, por kujton vetëm ndjesinë e të mbushurit me shpresë kur dëgjoi të qarat e foshnjës në krahët e mjekëve dhe mamive. Ajo dhe bashkëshorti e quajtën Jarrah, për nder të kirurgut që i shpëtoi.
Rrugët nga fshatrat përreth për në spital janë të ngushta. Disa janë të shkatërruara ose të bllokuara prej luftës 8-vjeçare midis forcave pro-qeveritare dhe rebele. Gra, anëtarë të familjes dhe bashkëshortë shoqërojnë gratë shtatzëna për orë të tëra përmes kodrave.
Disa familje kanë mundësi financiare për të përballuar spitalin por jo për të shkuar deri atje. Një grua shtatzënë në Jemen ndërron jetë çdo dy orë për shkaqe të parandalueshme gjatë lindjes. Veç kësaj, gratë në zona të largëta nuk mund të kryejnë kontrolle të rregullta ose të kërkojnë ndihmë deri në momentin që ndiejnë dhimbje të forta ose kanë hemorragji.
Më pak se gjysma e lindjeve asistohen nga një mjek dhe një e treta e tyre ndodh në një institucion shëndetësor. Ndërkohë vetëm një në pesë klinika funksionale mund të ofrojnë shërbim të mjaftueshëm për nënat shtatzëna dhe fëmijët.