Bytyqi: Ekonomia qarkore sjell zhvillim për çdo ekonomi dhe mbrojtje të mjedisit

Investimi që po bëjmë në efikasitetin e energjisë me prodhimin e energjisë nga burimet e rinovueshme dhe braktisjen e përshpejtuar të lëndëve djegëse fosile është aspekti kyç dhe më vital i tranzicionit të gjelbër, tha zëvendëskryeministri i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, përgjegjës për çështje ekonomike, koordinim me resorët ekonomikë dhe investimet, Fatmir Bytyqi në konferencën “Java e ekonomisë qarkore në Ballkanin Perëndimor” organizuar nga Civil që e implementon rrjeti rajonal LogEx, me iniciativë të organizatës së shquar think-tank Balkan Forum nga Kosova, kurse me mbështetjen e Rockefeller Brothers Fund nga SHBA.

Në fjalimin e tij, zëvendëskryeministri Bytyqi tha se të flasësh për një ekonomi qarkore do të thotë të flasësh për efikasitetin dhe efektivitetin e aktiviteteve ekonomike, se si produktiviteti, konkurrueshmëria dhe rritja ekonomike marrin rrugë të reja zhvillimi që janë të qëndrueshme.

“Globalizimi dhe modeli ekonomik i rritjes së konsumit dhe vetëm nxjerrjes nga natyra dhe burimet natyrore në dekadat e fundit është rritur në mënyrë dramatike. Për rrjedhojë, planetit Tokë i duhet një vit e gjysmë për të rinovuar atë që ne përdorim, pra e konsumojmë brenda një viti. Si qytetërim po përballemi me këtë çekuilibër, i cili pengon edhe qëndrueshmërinë e ekonomisë sonë”, tha Bytyqi.

Zëvendëskryeministri Bytyqi nënvizoi rëndësinë e ndërgjegjësimit për nevojën e adoptimit të një qasjeje qarkore në ekonomi, e cila nuk është më një aspekt i tërthortë, por një temë qendrore që duhet të drejtojë gjithçka që bëjmë.

“Perspektiva e parë, ndoshta më e rëndësishme në transformimin e ekonomive është që ato të investojnë në krijimin e produkteve që kanë qëndrueshmëri më të madhe dhe në të njëjtën kohë mund të riciklohen në mënyrë që i gjithë cikli të jetë i qëndrueshëm. Një moment kyç në këtë proces është investimi ynë në efikasitetin e energjisë dhe prodhimin e energjisë nga burimet e rinovueshme. Heqja e përshpejtuar e lëndëve djegëse fosile është aspekti kyç dhe më jetik i tranzicionit të gjelbër. Kjo përfshin zgjerimin e përdorimit të energjisë diellore, të erës dhe hidroenergjisë, si dhe investimin në teknologji dhe infrastrukturë me efikasitet energjetik”, tha Bytyqi.

Në fjalimin e tij, zëvendëskryeministri Bytyqi nënvizoi se një ekonomi kombëtare që po kalon tranzit drejt një ekonomie qarkore nuk mund të anashkalojë zhvillimin e infrastrukturës së gjelbër.

“Kjo përfshin investimin në sistemet e transportit të qëndrueshëm, si automjetet elektrike, transportin publik dhe infrastrukturën e çiklizmit, duke përfshirë promovimin e ndërtesave me efikasitet energjetik, hapësirave të gjelbra dhe planifikimit të qëndrueshëm urban. Promovimi i prodhimit vendor dhe të qëndrueshëm të ushqimit dhe nxitja e të ushqyerit të shëndetshëm është me rëndësi jetike për ndërtimin e një sistemi ekologjik në bujqësi, i cili përfshin mbështetjen e praktikave të bujqësisë organike, respektivisht reduktimin e përdorimit të preparateve kimike në prodhimin e ushqimit”, theksoi ai. Bytyqi shtoi se aspektet pozitive më domethënëse që sjell tranzicioni në një ekonomi të gjelbër është se ofron mundësi për krijimin e vendeve të punës dhe përfshirjen sociale.

“Organizata Ndërkombëtare e Punës vlerëson se punësimi global mund të rritet me gjashtë milionë vende pune përmes një tranzicioni të gjelbër. Kjo përfshin promovimin e zhvillimit të shkathtësive të gjelbra, rikualifikimin e punëtorëve për industritë e gjelbra, por edhe sigurimin e një tranzicioni të drejtë për vende të reja të punës. Tranzicioni në një ekonomi të gjelbër kërkon bashkëpunim dhe partneritet ndërkombëtar. Bashkëpunimi me vendet e tjera, shkëmbimi i praktikave më të mira dhe shkëmbimi i njohurive dhe teknologjive mund të përshpejtojë transformimin e gjelbër dhe t’u përgjigjet sfidave globale mjedisore”, tha Bytyqi.

Në fund të fjalimit të tij, zëvendëskryeministri i Qeverisë, përgjegjës për çështje ekonomike, koordinim me resorët ekonomikë dhe investimet, Fatmir Bytyqi tha se në aspektin rajonal mund të shkojmë përpara drejt një ekonomie qarkore vetëm përmes konkurrueshmërisë së përbashkët rajonale, përballë konkurrencës rajonale.

“Arritja e zhvillimit të qëndrueshëm dhe të gjelbër nuk njeh kufij fizikë, sepse globi është një dhe i vetëm, kurse pasojat e ngrohjes globale dhe efekti “serë” ndihen në çdo pëllëmbë”, tha Bytyqi dhe apeloi që vetëm duke krijuar një model afatgjatë dhe të qëndrueshëm për rritjen dhe zhvillimin e ekonomisë sonë kombëtare, ne mund të krijojmë një shoqëri që do të jetojë dhe do të mendojë në këtë mënyrë.

“Këtë po e bëjmë përmes Strategjisë Kombëtare të Zhvillimit 2022-2042, e cila duhet të miratohet nga Kuvendi ynë deri në fund të vitit”, tha zëvendëskryeministri Bytyqi në fund të fjalimit të tij.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share