Rama: Vizioni ynë, ta bëjmë Dibrën jastëkun e gjelbër të kryeqytetit

Turin e falenderimeve pas fitores në zgjedhjet e 14 Majit, kryeministri Edi Rama e vijoi në Dibër. Pikërisht nga ky qark, ai tha se Dibra i ka bërë një sfidë shumë të madhe socialistëve, duke i ngarkuar me një besim të jashtëzakonshëm.

“Dibra na ka bërë një sfidë shumë të madhe. Ne kemi fituar dhe herë të tjera në Dibër kjo nuk është hera e parë, por ama si këtë herë, asnjëherë më parë. Thelbi është kjo është një sfidë për ne, një përgjegjësi shumë e madhe, sepse i gjithë komuniteti këtu, në gjithë qarkun e Dibrës, na ka sfiduar duke na ngarkuar me një barrë besimi të jashtëzakonshme si asnjëherë më parë, natyrisht për të na dhënë mundësi që të provojmë se ne e mbajmë këtë barrë. Unë e kam përsëritur shumë në fushatë, muhabetin e kuajve, gomerëve, se ka disa që shajnë gomerët. Në fakt, para gomerëve, ata nuk meritojnë as të zihen me gojë, sepse gomari është punëtor dhe ka mbajtur perëndinë në kurriz thonë, kështu që nuk ka qenë qëllimi për të ulur gomarin, apo këdo qoftë, por ka qenë qëllimi për të thënë ekzaktësisht atë që në fakt bënë votuesit, duke na ngarkuar në kurriz një barrë shumë të madhe që ne kemi detyrë të mbajmë dhe ta çojmë përpara, për të sjellë shumë më tepër përmes punës, sesa kemi bërë deri tani”.

E në këtë kontekst, kryeministri përmendi disa prej projekteve në këtë qark dhe tha se në thelb, vizioni është për ta bërë Dibrën ‘jastëkun e gjelbër të kryeqytetit’.

“Këtu në Dibër është hapur një perspektivë e re, por ne e dimë shumë mirë që ajo quhet përfundimisht e hapur kur të gjitha rrugët të hapen. Kemi akoma një tunel për të hapur, kemi akoma rrugën për ta çuar deri në Lurë, sepse duhet ta fusim dhe Lurën në të gjithë këtë hapësirë e cila ka nisur të zhvillohet ndryshe. Kemi edhe rrugën që lidh Peshkopinë me Maqellarën, sepse nuk mund të durojmë dot pas jo shumë kohe, kur të fillojnë të na tallin këtu, ‘ja mër ça rrugë e Arbrit ajo shkon deri në Maqellarë’, se e di unë sesi ndodh këtu. Kështu që duhet ta bëjmë dhe atë. Por këto janë vetëm disa vepra infrastrukturore, shumë të rëndësishme pa diskutim. Pjesa tjetër është gjithë pjesa e zhvillimit ekonomik, social, duke shtyrë gjithnjë e më shumë, atë që është thelbi i këtij vizioni, që është integrimi i plotë i Tiranës me Dibrën. Për ta bërë Dibrën atë që është në fakt, po ta shikosh dhe hartë, dhe nga mënyra sesi janë ndarë edhe pasuritë natyrore mes gjithë zonës së Tiranës dhe zonës së Dibrës, për ta bërë jastëkun e gjelbër të kryeqytetit. Duke krijuar mundësitë që gjithmonë e më shumë investimet të bëhen këtu. As mos u çudisni fare kur të shikoni se gjithnjë e shumë njerëz do të duan të kenë shtëpinë e dytë këtu në Dibër, duke jetuar në Tiranë. Gjithmonë e më shumë njerëz do duan që të bëjnë pushime këtu Dibër, gjithmonë e më shumë vizitorë e turistë do të vijnë këtu në Dibër, sepse bukuritë dhe mundësitë që ofron natyra këtu janë të jashtëzakonshme dhe komplet të pashfrytëzuara”./tvklan.al

Lexo gjithashtu
Total
0
Share