Tenisti rus Daniil Medvedev fitoi turneun Masters të Romës, duke mundur 2-0 (7-5, 7-5) në finale danezin Holger Rune. Kjo është hera e parë që Medvedev fiton një turne në fushat me dhè, që nga dita e sotme ngjitet në vendin e dytë të renditjes botërore, duke kaluar edhe Djokovic.
Këtë sezon, rusi ka fituar 5 turne, përfshi edhe dy Masters (fitoi edhe në Indian Wells), çka konfirmon formën e tij të mirë. Medvedev është ndër pretendentët edhe për triumfin e Rolans Garros, që nis pas një jave në Paris.
Për femra, ky turne u fitua nga tenistja kazake Elena Rybakina, që mundi në finale ukrainasen Anhelina Kalinina. Kjo e fundit u tërhoq në setin e dytë, në sifrat 6-4, 1-0, për shkak të një dëmtimi, ndërkohë që ndeshja nisi me vonesë për shkak të shiut.
Rybakina pati fat në këtë turne, pasi 3 nga rivalet e saj u tërhoqën para se të luanin ndaj saj. Gjithsesi, ajo korri fitoren e dytë në karrierën e saj në një turne Masters, duke konsoliduar vendin e tretë në renditjen botërore.