Një aksident i rëndë ndodhi pasditen e kësaj të diele në Qafë Thanë. Burime zyrtare të policisë bëjnë të ditur se në aksident u përfshi një autobus dhe një makinë Benz. Nga përplasja automjeti, që drejtohej nga një 28-vjeçar u përfshi nga flakët, duke lënë të plagosur 6 personat që ndodheshin në të.
Ata u transportuan drejt spitalit për ndihmë mjekësore. 2 prej të plagosurve, sipas gazetarit Fatos Salliu, janë në gjendje të rëndë dhe u nisën drejt Tiranës.
Autoritetet policore kanë nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave të kësaj ngjarjeje.
(Makina shkrumbohet tërësisht nga flakët)
“Prrenjas/Rreth orës 16:20, në aksin rrugor Qafë Thanë – Prrenjas, autobusi që drejtohej nga shtetasi I. A., 51 vjeç, me drejtim lëvizjeje Pogradec – Prrenjas, është përplasur me automjetin tip “Benz”, që drejtohej nga shtetasi I. M., 28 vjeç, me drejtim lëvizjeje nga Prrenjasi në drejtim të Pogradecit.
Si pasojë e aksidentit automjeti tip “Benz” është përfshirë nga flakët dhe për pasojë janë dëmtuar drejtuesi i automjetit dhe 5 pasagjerët që udhëtonin me të, të cilët janë transportuar menjëherë në spital, për ndihmë mjekësore. Gjithashtu, janë shkaktuar vetëm dëme materiale në autobusin që drejtohej nga shtetasi I. A.
Në vendngjarje ndodhen shërbimet e Policisë Rrugore të DVP Elbasan dhe grupi hetimor, i cili vijon punën për zbardhjen e rrethanave të aksidentit”, tha dhe policia në një njoftim për mediat./tvklan.al
(Video e makinës në flakë)